“WikiLeaks” zbardh planet e Serbisë për ndarjen e Kosovës

Aug 31, 2011 | 11:21
SHPËRNDAJE
Kristofer Dell dhe Philip Gordon

“Fil, e di se do të takohesh me Robert Kuperin (ndërmjetësin e BE-së për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit) më 2 shkurt, që ndër të tjera do të flasësh edhe për strategjinë për Veriun e Kosovës dhe integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës”, shkruhet në kabllogramin dërguar nënsekretarit amerikan, Philip Gordon. “Momentalisht kemi një konsensus të ngushtë brenda bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, se është momenti i duhur që të ndalet ndarja shumëvjeçare mes Veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës. Kjo, për shkak të mungesës së vullnetit të serbëve të Veriut të Kosovës, që të kyçen në institucionet e Kosovës dhe për shkak të aksioneve çdo herë e më agresive të Beogradit në Veri”, shkruan Dell, transmeton “vesti-online”. Në kabllograme thuhet se për Perëndimin figurë publike negociatore nuk është Stefanoviç, por këshilltari i Presidentit serb për politikë të jashtme, Jovan Ratkoviç. Në një kabllogram të Ambasadës amerikane në Beograd thuhet se Ratkoviç i ka thënë ambasadores amerikane, Mari Uarlik, se “Beogradi nuk synon ta ndryshojë realitetin në terren për shqiptarët e Kosovës, por se edhe tentimi për ta ndryshuar realitetin për serbët do të thotë destabilizim”. Një muaj më parë, Ratkoviç ia ka dorëzuar Robert Kuperit planin për ndarjen e Kosovës dhe idenë e njëjtë ia ka dhënë edhe përfaqësueses së BE-së për punë të Jashtme dhe Siguri, Katerin Ashton. “Ratkoviç direkt i ka thënë Kuperit se Beogradi do të duhet të pranojë se kurrë më nuk do të sundojë në Kosovë, prandaj Kosova duhet të kuptojë se nuk do ta shtrijë pushtetin në Veri të Ibrit”, citohet Ratkoviç në një nga kabllogramet. Në një kabllogram tjetër, sipas mediave serbe, Dell i tërheq vërejtjen Uashingtonit, se shqiptarët janë në fund të durimit. Dell përmes Gordonit i dërgon porosi edhe ndërmjetësit Kuper se “Strategjia për Veriun kurrë nuk është radikale dhe në masën më të madhe bazohet në atë çka BE ka parashikuar dhe vepron në terren. Së dyti, qeveria e Hashim Thaçit është e gatshme që serbëve t’u bëjë lëshime nëse janë të gatshëm të hyjnë në institucionet e Kosovës. Së treti, kemi partnerë legjitimë serbë (të zgjedhur nga serbët), të cilët janë të gatshëm të na ndihmojnë në Veri. Këto elemente janë çelësi i strategjisë sonë për Veriun e Kosovës”.

OKB, Hoxhaj dhe Jeremiç “përplasen” për Veriun

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u mblodh dje për raportin e rregullt tremujor mbi arritjet në Kosovë, ku ishin të pranishëm dhe ministrat e Jashtëm të dy vendeve, të cilët nuk humbën rastin të hapin temën e Veriut. Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar nga Serbia që të bindet për largimin e strukturave paralele nga pjesa veriore e Kosovës, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka akuzuar Kosovën se ka ndërhyrë me dhunë në Veriun e banuar nga serbët, duke shkelur marrëveshjen mes EULEX-it dhe Prishtinës. Hoxhaj, në fjalimin e tij drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka paraqitur zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës. Duke sqaruar rrjedhën e dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë,  Hoxhaj ka theksuar se ishin paraparë disa takime gjatë verës, por delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë në takimin e caktuar për muajin korrik. Ai ka sqaruar vendimin e qeverisë së Kosovës për të dërguar njësinë speciale në Veri të vendit, pasi “dërguam forcat e policisë së Kosovës në kufijtë e Veriut jo për t’i trazuar qytetarët apo për t’i sulmuar ata, por për forcimin e masave të reciprocitetit në tregti, kur të gjitha përpjekjet për të negociuar çështjen patën dështuar”. Veprimet e qeverisë së Kosovës, sipas Hoxhajt, ishin një ushtrim legjitim i autoritetit të policisë. Dhe “strukturat ilegale serbe kanë përdorur eksplozivë, armë automatike dhe snajpera për të sulmuar Policinë e Kosovës, policinë e EULEX-it dhe KFOR-in. E përsëris, Policia e Kosovës nuk ka përdorur dhunë. Ka qenë qeveria e Serbisë që ka kryer akte dhune përbrenda territorit të Kosovës”, ka theksuar ai. Hoxhaj ka kërkuar që Serbia të shpërbëjë strukturat paralele ilegale nga Republika e Kosovës dhe të heqë dorë nga financimi i grupeve kriminale në Veri. Në fjalimin e tij, ushtruesi i detyrës së shefit të misionit të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif, theksoi se Prishtina dhe Beogradi gjatë incidenteve të fundit në Veriun e Kosovës shpeshherë “kanë dërguar mesazhe të dominimit dhe të ndarjes”, që siç vlerësoi ai, është retorikë e cila e forcon mosbesimin ndërmjet popullatës shumicë dhe serbëve. Ndërkohë Jeremiç tha se situata në rajon pak më shumë se një muaj më parë u bë papritmas më pak e sigurt, më pak e qëndrueshme dhe më pak e parashikueshme. “Ajo çfarë ndodhi në Veri të Kosovës, ishte një plan i qeverisë së Kosovës, për të imponuar me forcë një regjim të paligjshëm dhe të padëshiruar tek banorët e asaj pjese të krahinës”, tha ministri i Jashtëm serb, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që t’u dërgojë një mesazh të qartë autorëve të këtyre veprimeve të njëanshme dhe të papranueshme. Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, Jeremiç ka kërkuar rikthimin e statuskuosë në Kosovë. Por Hoxhaj ëhstë kundërpërgjigjur me “Nuk ka më kthim pas”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura