“Shqiptarët s’janë vetëm muratorë dhe hajdutë”

May 31, 2012 | 14:34
SHPËRNDAJE

Regjisorja italiane Stefania Casini

U shfaq dokumentari i regjisores Stefania Casini.

“Made in Albania”, një miksim problemesh sociale në Shqipërinë postkomuniste.

Vjen shpesh në Shqipëri dhe thotë se është shumë e afeksionuar pas shqiptarëve dhe këtij vendi që zien vazhdimisht si të ishte merkur.
Ndaj dhe, për të dytën herë regjisorja dhe ish-aktorja e viteve ’70, Stefania Casini, realizon një film dokumentar me në qendër Shqipërinë. E quan “Made in Albania” dhe rrëfen për vendin “përballë” nga një tjetër këndvështrim, nga ai i të rinjve, italianë e shqiptarë. Puliezi 20-vjeçar Vito vjen në Shqipëri të gjejë motorin e vjedhur dhe në këtë proces takon Rubinin e Borën, që përpiqen me të gjitha mënyrat ta ndihmojnë, edhe pse u duket një mision gati i pamundur. E sigurisht që motorin e vjedhur nuk do e kërkojnë në mes të Bllokut apo në zonat turistike e më të bukura të Shqipërisë. Fillimisht, regjisorja përdori trukun e kamerës së fshehtë dhe dy të rinjtë shqiptarë nuk e dinin se gjithçka ishte një “lojë”, por më pas gjithçka është e qartë dhe ata bëhen pjesë e një rrugëtimi në kërkim të Shqipërisë të panjohur për italianët, por shpesh edhe nga vetë shqiptarët. E ndonëse ajo thotë se dëshiron të tregojë një tjetër Shqipëri nga ajo që italianët kanë të ngulitur në mendjet e tyre, nuk i shpëton dot tendencës për të nxjerrë në pah anët më të zymta të Shqipërisë, një larmi problemesh sociale, që shqetësojnë shqiptarët. Xhiron nëpër periferi të zymta, nga ku duken pallatet shumëngjyrëshe të kryeqytetit, në lagje romësh, në familjet e varfra në malësi, në Kurbnesh, në plazhe të ndotura në hidrovor të Fierit.. Sjell rrëfime burrneshash, skafistësh vlonjatë, njerëzish në gjak… Duket se, ashtu siç na e thotë në një intervistë Casini, gjërat më pozitive të shqiptarëve janë mikpritja dhe sensi i familjes. Ndërsa thotë se do që t’u ndryshojë mendje italianëve përmes këtij dokumentari, ka shumë gjasë që shumë edhe të tremben. Edhe pse ajo nuk mashtron, gjithsesi. E në gjithë atë panoramë kaotike që ajo rrëfen për Shqipërinë, shyqyr Zotit që motori i Vitos është gjetur në Venecia e jo në Shqipëri… “Made in Albania”, një bashkëprodhim i “Bizef Produksion” dhe “Era Film”, në bashkëpunim me Rai Cinema u shfaq dje në mbrëmje në kinema “Imperial”. Stefania Casini, me arsimim arkitekte e ka nisur karrierën e saj si aktore dhe ka punuar me regjisorë si Bernardo Bertolucci, Peter Greenaway e Dario Argento. Në vitet ’80 ajo i kushtohet regjisë, duke realizuar seriale dokumentarësh në bashkëpunim me RAI-n.

Si u kristalizua te ju ideja për të realizuar një film për Shqipërinë?

Nga dokumentari “Made in Albania”

E njoh Shqipërinë, sepse kam ardhur qysh 10 vjet më parë për të realizuar dokumentarin e parë këtu. Ishte një dokumentar prej serisë me të rinj, të gjithë 20-vjeçarë nga vende që mund të futeshin në Europë. Shqipëria nuk ka hyrë, por do hyjë herës tjetër. Kur erdha në Shqipëri isha e mbushur plot me stereotipa, kisha frikë të vija, mendoja që Shqipëria ishte një vend plot me hajdutë… Kur erdha për herë të parë, isha vetëm dhe kam takuar shumë njerëz të mirë, të cilët më kanë ndihmuar shumë. Dalëngadalë njoha njerëz e shumë gjëra që nuk i dija dhe më lindi dëshira për të treguar mbi këtë vend në një tjetër mënyrë. Qysh atëherë kam ardhur për vit në Shqipëri.
Le të vijmë tek “Made in Albania”, që ka një fabul që fillimisht shqiptarëve mund t’u duket fyese…
Doja të bëja një dokumentar ndryshe, që të niste si film, pasi ka edhe një gjuhë shumë kinematografike. Dhe filmi nis pikërisht kështu: Një djalë italian, plot me stereotipa, vjen në Shqipëri për të gjetur motorin që i kanë vjedhur në Itali. Pasi të gjithë thoshin që patjetër e ka vjedhur ndonjë shqiptar. Vjen këtu, njeh dy të rinj shqiptarë, Bora Baboçi e Rubin Beqo, që janë dy të rinj realë. Fillimisht i bëra të besojnë se historia e djalit italian ishte e vërtetë dhe se e kisha takuar në traget. Kështu nisëm të kërkonim nëpër vende të ndryshme. Si mund të gjendej, ku… Dhe kjo u realizua përmes kamerave të fshehta. Kështu nisëm të tregonim Shqipërinë përmes takimesh.
Ku keni xhiruar?

Vito, i riu italian që erdhi në Shqipëri në kërkim të motorit të vjedhur

Bora u nis drejt Veriut në kërkim të rrënjëve që nuk i njihte, pasi ka lindur në Tiranë, ka studiuar jashtë. Kështu që kishte nevojë edhe ajo të njihte vendin e saj. Kishte dëgjuar të flitej për burrneshat dhe shumë gjëra të tjera që nuk i njihte. E ndoqëm atë deri në Kurbnesh dhe, përmes takimeve që ajo ka zhvilluar, takime shumë të forta dhe emocionale, kam treguar shumë gjëra nga ky vend. Pastaj Rubini u nis drejt Jugut. Me të kemi shkuar në Vlorë e më tej. Atje zhvilluam të tjera takime. Dhe këta persona që gërshetohen me tre protagonistët, tregojnë secili një pjesë të Shqipërisë, të së kaluarës, të së tashmes.
Kë do veçonit?
Kemi takuar një skafist të vjetër në Vlorë, që na tregonte histori nga më të ndryshmet të kohës së skafeve. Por kemi takuar edhe një djalë në gjak, që na tregon dhimbjen dhe jetën e tij.
Si ka qenë bashkëpunimi me këta njerëz, pasi në një farë mënyre ju i keni “spiunuar” ata me kamera të fshehta…?
Disa herë ka qenë e fshehtë, herë të tjera jo. Por ata janë ndier mirë, në të kundërt nuk do të vinin vërdallë me një kameraman. Aq më tepër që edhe ata mësuan shumë gjëra. Kameramani dhe drejtori i zërit ishin shqiptarë, të rinj gjithashtu, kështu që ishte një minitrupë shqiptarësh dhe më e vjetra isha unë.
Kujt doni t’i flisni me këtë film?

Rubin Beqo, i riu shqiptar, pjesëmarrës në dokumentarin “Made in Albania”

Së pari dua t’u flas italianëve. Unë tregoj Shqipërinë në të mirë dhe në të keq, me gjërat e mira dhe me vështirësitë e saj, plot kontraste. Është një vend gjithë kontraste. Një vend që e kemi përballë, por që ne italianët nuk e njohim absolutisht. Që ka ndryshuar shumë, që është rritur. Çdo vit që vij, shoh gjëra të reja. Është një vend që zien, që unë e dua shumë, pasi më pëlqejnë shumë njerëzit. Edhe në varfëri, që unë e tregoj apo e denoncoj, ka shumë dinjitet. Është një dhunti e të gjithë popujve të Mesdheut, që është shumë prezente në Shqipëri dhe që është mikpritja e jashtëzakonshme, hapja drejt të huajit. Në të gjitha vendet ku kam shkuar, qoftë edhe në Kurbnesh, ku nuk gjen një vend për të fjetur, na kanë mikpritur në shtëpitë e tyre. Pikërisht këto gjëra dua t’u tregoj italianëve. Sigurisht nuk arrij të zbuloj gjithë Shqipërinë, pasi është një vend shumë kompleks, por i kam dhënë pjesëza për të kompletuar mozaikun.
Dua t’u them që ajo që italianët mendojnë për shqiptarët është e gabuar.
Tashmë mund të thuhet se ju e njihni mirë Shqipërinë, çfarë ju prek më shumë nga ky vend?
Duke ardhur çdo vit në Shqipëri, unë dija se ku të shkoja e ku t’i çoja të rinjtë, por ajo që më godet më shumë në këtë vend është ky vlim i vazhdueshëm, si të ishte merkur. Dhe pikërisht sepse është një vend mes të shkuarës dhe të ardhmes, që nuk ka gjetur dimensionin e vet, që është në kërkim, por që ka shumë dinjitet. Më bën përshtypje ndjenja e familjes, që ne e kemi humbur. Më duket si Italia që ka qenë dikur, jo sepse jemi mbrapa, por sepse janë ca vlera që neve, nën ndikimin perëndimor që na ka ardhur, i kemi humbur disi. Sensi i familjes është shumë i fortë. Ja, marrim shembullin e Rubinit, ai është një djalë shumë i hedhur, që organizon aktivitete artistike, koncerte rroku, por preferoi të na njihte me familjen e tij. Dashuria që ai kishte për prindërit, familjen, respekti… Ata shkonin tek varret e të parëve, kujdeseshin, i pastronin. Një lloj dëshire për të qenë i lidhur me familjen dhe me rrënjët… Një ndjesi që ne italianët po e humbim, ashtu si edhe mikpritjen. Qytetet e mëdha, si Roma, Milano e kanë humbur këtë ndjesi dhe është mëkat i madh. Por e gjen ende në jug të Italisë. Të gjitha vendet që janë më afër detit, janë më mikpritës, më të hapur me të huajt.
Gjatë këtyre 20 viteve të hapjes së Shqipërisë ka ndryshuar raporti mes italianëve dhe shqiptarëve apo ne vazhdojmë të jemi klandestinët e vendit përballë?
Sigurisht që po. Dhe dy janë gjërat që kanë sjellë ndryshimin. E para kur mes dy vendeve u vendosën marrëdhëniet dypalëshe dhe iu vu fre trafikimit human dhe skafistët nuk transportonin më njerëz. Kjo ka ndryshuar raportet, sepse mediat nuk pushonin së treguari shqiptarët duke ardhur me gomone, kështu që ata nuk kishin më frikë nga “pushtimi”. E dyta është heqja e vizave për të udhëtuar në Europë. Kjo u lejoi shumë të rinjve, studentëve, kuriozëve, të udhëtonin dhe italianët patën mundësi të njihnin shqiptarët, jo si njerëz të dëshpëruar që vinin për të punuar, por për kureshtje. Unë njoh shumë të rinj shqiptarë, që kanë ardhur në Itali, kanë studiuar dhe janë kthyer në Shqipëri. Pra, ka ndryshuar edhe ky imazh. Dy shqiptarët që unë kam zgjedhur për filmin tim, janë tërësisht ndryshe nga stereotipi që italianët kanë, që është ai i të rinjve që vijnë në kërkim të punës. Por sepse ekziston edhe një realitet tjetër. Ka të rinj që shkojnë jashtë, që janë të shkolluar, inteligjentë, që flasin shumë gjuhë. Ky është imazhi që dua të jap: nuk janë muratorë të gjithë  të rinjtë që duan të vijnë këtu, por ekziston një vend që ka potencialin e vet intelektual, që ka të rinj me forcën për t’i thënë gjërat kur nuk shkojnë mirë, që janë kritikë ndaj vendit të tyre. Kështu që në këtë sens, të gjithë janë rritur në mënyrë demokratike. Dhe të gjitha këto unë i tregoj në film.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura