“Poeteka” mbi Naimin e Nonda Bulkën në Përmet

Jul 19, 2011 | 10:46
SHPËRNDAJE

“Poeteka” kësaj here ndalon në Përmet. Në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Departamentin e Studimeve Letrare përgjatë tri ditëve (18 -20 korrik) po zhvillohet Projekti “Qytetet shtegtuese të kulturës”. Ky aktivitet i bashkohet atij konceptimi që e sheh krijimtarinë artistike dhe shkencën e studimeve letrare të pandarë nga peizazhi kulturor dhe historia e njerëzve. Duke vlerësuar faktin se mes artit, shkencës që studion krijimtarinë artistike dhe traditave të trevave të spikatura për vlerat e tyre kulturore, si dhe me dëshirën për të zgjeruar hapësirat kumtuese, Poeteka ofron një sërë veprimtarish brenda harkut të një viti. Përmes këtyre veprimtarive, krijuesve dhe aspirantëve të shkollës doktorale në studimet letrare, u ofrohet një mundësi më shumë për t’i vënë kontributet e tyre në dobi të kërkimit shkencor. Ndërkaq, kjo iniciativë sjell zhvendosjen e disa prej veprimtarive drejt qendrave jo realisht margjinale, por të margjinalizuara. Gjatë këtyre veprimtarive të formatit akademik, të kërkimit shkencor dhe atij të lirë, do të shqyrtohen edhe çështje pak të rrahura e të trajtuara, si qasjet krahasimtare të krijimtarisë së personaliteteve mbi të cilët fokusohet veprimtaria (Naim Frashëri dhe Nonda Bulka), me shkollat, rrymat letrare përkatëse, duke synuar zgjerimin e rrafshit të komunikimit dhe këqyrjes së krijimtarisë së tyre si pjesë e një sistemi më të gjerë se letërsia kombëtare. Gjithashtu, në veprimtari do trajtohen edhe tematika të tjera të rrafshit studimor dhe aplikativ lidhur me historishkrimin letrar në ditët e sotme, breznitë letrare etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura