“Në Kombëtare nuk ngroh stolin, më josh Janina”

May 31, 2012 | 12:58
SHPËRNDAJE

Nuk ka firmosur ende për asnjë skuadër, por sytë i shkëlqejnë kur i kujtojmë Janinën. E dëshiron këtë klub jo më shumë për ofertën, sesa për faktin se aty do të gjejë edhe dy shokë të ekipit përfaqësues: Lilën dhe Vilën. Tefik Osmani konfirmon se ka “në xhep” edhe dy oferta të mira financiare nga Azerbajxhani dhe Arabia Saudite, por parapëlqen që të qëndrojë sa më afër Shqipërisë. Dhe në fund nuk mungon edhe tema “Kombëtare”, ku mbrojtësi rreket të theksojë se nuk e ndihen veten një “rezervë të përjetshme” dhe beson se në momentin e parë kur t’i jepet mundësia nga trajneri De Biazi, do të tregojë se sa vlen për këtë skuadër. “Jam në bisedime me drejtuesit e Janinës. Kam biseduar, por ende nuk kam firmosur. Pikë së pari ka ende disa detaje që duhen qartësuar, duke filluar nga kohëzgjatja e kontratës dhe pjesa financiare. Së dyti, kam edhe dy oferta të tjera, nga Azerbajxhani dhe Arabia Saudite, relativisht të mira, ndaj edhe për momentin jam i dyzuar. Kombëtarja? Më vjen mirë që jam në Kombëtare dhe duke qenë se edicioni i kualifikimeve është i gjatë, ku nuk përjashtohen edhe pezullime e dëmtime, them se do të kem edhe unë shansin të luaj si titullar”, ka përfunduar Osmani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura