“Ethet e arit”, kërkuesit dëmtojnë monumentet e kulturës

Jul 13, 2011 | 11:52
SHPËRNDAJE
Ura e Brarit

Ka ende të marrë që mendojnë se shekujt do ta kenë kursyer ndonjë qyp me flori, të fshehur diku nën tokë. Teknologjia ka avancuar dhe mjafton një sinjal që nën tokë ndodhet një objekt i metaltë, për të nisur aksioni i gërmimit me kazma e lopata.Nuk bëhet fjalë për ndonjë film aventuresk me ishuj e thesare të fshehura nga piratët, por për një fenomen, i cili ka ardhur në rritje vitet e fundit. Sikur këto kërkime të mjaftoheshin vetëm me zhgënjimin e autorëve, kjo nuk do t’i prishte askujt punë. E keqja është që këto kërkime kanë sjellë dëmtime serioze në disa monumente të trashëgimisë kulturore në gjithë territorin e Shqipërisë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, Arbër Kadia, thotë se ky fenomen është bërë shumë shqetësues, duke iu shtuar morisë së problemeve që hasen në fushën e monumenteve, siç janë ndërtimet pa leje, moszbatimi i distanca nga zonat e mbrojtura apo mungesa e infrastrukturës së duhur për mbrojtjen e tyre dhe përfshirja më e gjerë e institucioneve lokale në këtë proces. “Duket si lojë fjalësh, por trashëgimia e trashëgon problematikën e vet. Fenomeni i gërmimeve në kërkim të thesareve ka qenë i kahershëm, jo vetëm në qarkun e Tiranës, por në gjithë Shqipërinë, por kohëve të fundit këto ndërhyrje prej njerëzve të papërgjegjshëm janë shtuar”, thotë Kadia. Ai thotë se kërkimet bëhen me aparatura të posaçme që sinjalizojnë praninë e objekte të metalta nën tokë. “Me anë të metaldetektorëve, të cilët janë të jashtëligjshëm, ata bëjnë kërkime të cilat duhet thënë se janë të kota dhe nuk sjellin gjë tjetër veçse dëmtimin e

Rrënojat e qytetit të Albanopolit

monumenteve, por edhe rrezikimin e jetëve të vetë autorëve. Me idenë që mund të gjejnë ndonjë send me vlerë, ata gërmojnë pa sjellë asnjë rezultat. Mendoni, gjithë ajo histori që ka kaluar mbi këto qyteza të lashta apo monumente shekullorë, që nga luftërat, shkatërrimet, plaçkitësit… Nëse nuk është gjetur asgjë nga arkeologët, imagjinoni ç’mund të gjejnë ata”, vazhdon Kadia. Dhe rastet janë konkrete. Ai na sjell shembullin e qytezës ilire të Albanopolit, i cili ndodhet në afërsi të fshatit Zgërdhesh të Krujës, ku janë bërë gërmime. Por, një nga rastet më flagrante është ajo e Urës së Brarit. “Janë hequr 2 metra kub gurë nga kjo urë dhe autorët janë treguar vërtetë të guximshëm, sepse kanë rrezikuar seriozisht të humbasin jetën, për shkak se është ndërhyrë në qemer, çka do të thotë se objekti mund të ishte shembur e t’i kishte zënë nën të. Ndërkohë, ne kemi hartuar një plan veprimi, për të ndërhyrë për rikonstruksionin e saj”, thotë drejtori i Drejtorisë Rajonale.

PROBLEMET ME NDËRTIMET

Por aventurat e kërkimit të thesarit janë vetëm një pjesë e problemit. Sikundër thotë Kadia, trashëgimia i trashëgon problemet. Gjatë 20 vjetëve të fundit, ato janë rënduar edhe më me fenomenin e ndërtimeve të paligjshme, që mbinë ku të mundnin si kërpudha, madje edhe pranë zonave të mbrojtura arkeologjike. “Këtë probleme e hasim gjerësisht në Parkun Arkeologjik të Lezhës. Kemi hartuar një plan veprimi, por nuk është e thjeshtë të ndërhysh, pasi ky është një aksion që ka edhe një efekt social”, thotë ai, teksa shton se numërohen rreth 40 ndërtesa pa leje, të ngritura gjatë 20 viteve të fundit pranë këtij parku. Do të duhej që më parë të gjendej sistemimi i familjeve që strehohen aty e më pas të vijonte aksioni. Në vazhdën e të njëjtit problem është mosrespektimi i distancave nga monumentet e kulturës nga ana e ndërtuesve, të cilët rrezikojnë këto objekte me shpimet me anë të sondave. Një fenomen ky i shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Po kaq e shtrirë është edhe fshehja e gjetjeve arkeologjike gjatë gërmimeve për ngritjen e pallateve. Kadia thotë se shumica nuk tregojnë kur hasin në rrënoja apo objekte arkeologjike, nga frika se mos u ndërpriten punimet. Rasti më i fundit ka qenë gjetja e disa stela varresh të periudhës otomane, të cilat u raportuan nga punonjësit me një frikë shumë të madhe nga pronarët e ndërtesës që po ngrihej.

INSPEKTORATI I MUNGUAR

E ndërsa problematika është shumë komplekse, para drejtuesve të institucioneve që merren me mbrojtjen e monumenteve shtohen një varg pikëpyetjesh se si mund të shmangen një pjesë e tyre, si në rastin e gërmimeve apo ndërtimeve të paligjshme. Arbër Kadia bën thirrje për më shumë bashkëpunim me autoritetet lokale. “Problemi ynë i madh është menaxhimi i monumenteve. Detyra jonë është t’i restaurojmë dhe t’i mirëmbajmë ato, ndërkohë që bashkitë edhe komunat, të cilat kanë edhe përfitimet e tyre nga turizmi etj., janë indiferentë. Është edhe detyra e tyre të ndërhyjnë për mbrojtjen e këtyre monumenteve”, thotë Kadia. Por, që lokalët të angazhohen ca më shumë për të mbrojtur pasuritë e tyre, kërkohet pak vullnet, zgjidhja do të ishte ngritja e një strukture të posaçme që të merrej me ruajtjen e objekteve. Edhe më parë është folur për ngritjen e një “policie”, megjithatë ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. “Zgjidhja më e mirë do të ishte ngritja e një inspektorati të monumenteve, të cilët të merrnin masa më të ashpra ndaj autorëve të këtyre ndërhyrjeve. Ligji është i mirë, është i qartë dhe dënon dhunuesit e monumenteve, por nevojitet një institucion që të mund ta interpretojë atë. Tashmë të gjithë aktorët duhet të fillojnë të luajnë me njëri-tjetrin”, thotë Arbër Kadia. Në të tilla raste një dëmtues monumentesh dënohet deri në 2 vjet burg, megjithatë deri më sot nuk ka ndodhur që ndokush të kapet. Në mungesë të një organizmi të tillë, Kadia thotë se i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme që të rrisë vëmendjen ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore. Por në këtë periudhë të nxehtë, kur në Shqipëri dynden turistë të huaj e emigrantë me pushime, policia, qoftë ajo e rendit apo rrugore, ka të tjera probleme për të menaxhuar. E, në këto kushte, faji për situatën mbetet jetim e përgjegjësia e askujt. Të gjithë bëjnë shkresa, pa gjetur një zgjidhje përfundimtare për këtë mori problemesh që dëmton pasurinë e vërtetë të shqiptarëve dhe ajo atë të fantazive me qypa e arka me flori.

KRYEQENDRA E ALBANËVE

Qyteza ilire, Albanopol, ndodhet në një kodër në afërsi të fshatit Zgërdhesh të Krujës. Qyteti ishte qendra e fisit ilir, albanët, që jetuan aty në shekullin e dytë dhe të tretë. Përmendet për herë të parë në mesin e shekullit II nga Ptolemeu, i cili e përcakton në token e albanëve me koordinata gjeografike 46 gradë dhe 41 gradë e 5′. Albanopoli ndodhet në krahun e djathtë të rrugës që lidh Fushë-Krujën me Krujën. Ka qenë albanologu i njohur austriak Hahn, i cili në vitin 1871, kur vizitoi kështjellën e Zgërdheshit, hodhi idenë që aty është shtrirë kryeqendra e rëndësishme ilire, Albanopolis. Qyteti antik shtrihej në majë të kodrës në një hapësirë prej 10 hektarësh. Qyteti mbrohej nga një mur i fuqishëm 1400 metra i gjatë, prej të cilave sot kanë mbetur vetëm 90 metra. Akropoli zë një të tretën e hapësirës. Aty janë gjetur objekte të shumta terakote, por edhe një statujë mermeri e perëndeshës Artemisë.

URA E GURTË E BRARIT

Ura e gurtë e Brarit është pa dyshim një nga monumentet më të rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare. Kjo, jo vetëm për shkak të arkitekturës së saj harkore, tipike për kohën kur është ndërtuar, por edhe për bukuritë natyrore që shtrihen nën të. Ura e Brarit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë më datë 17.03.1948. Ndodhet në fshatin Brar, komuna Dajt, me sipërfaqe 48.3 m2. Është një ndërtim i periudhës së mesjetës së vonë dhe daton mes shek. XVIII-XIX. Kjo urë, e cila tashmë është kthyer më së shumti në një objekt turistik, ndonëse ende përdoret prej banorëve të zonës, është bërë pre e vjedhësve, të cilët kanë hequr një sasi të madhe gurësh prej qemerit të saj, duke rrezikuar monumentin shekullor, por edhe kalimtarët.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura