“DokuFest” shfaq 7 filma te Piramida

Jul 15, 2011 | 10:21
SHPËRNDAJE

Një copëz festival sa për joshje e më tej rruga të çon në Prizren. Sot, në orën 21:00, në një kinema verore të improvizuar pranë Piramidës do të shfaqen 7 filma të metrazhit të shkurtër. “Një dhuratë” nga organizatorët e “DokuFest”, një nga festivalet më të rëndësishme të llojit të vet në rajon. Këtë vit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, feston 10-vjetorin e tij. Me këtë rast, organizatorët kanë menduar që të bëjnë një “fushatë” promovuese më parë në Tiranë. Do të shfaqen 7 filma, 2 prej të cilëve nga programi special ’10 Years Strong’, ndërsa të tjerët janë fituesit e edicionit të shkuar. Janë filma që vijnë nga Amerika, Franca Suedia, Zvicra, Finlanda, Polonia e Bosnje Hercegovina. Mësohet se si ekran do të shërbejë sfondi i mermertë i kambanës, pranë Piramidës, i cili me këtë rast do të mbulohet. Sigurisht, organizatorët i kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme, duke marrë leje më parë në Bashkinë e Tiranës për organizimin e kësaj mbrëmjeje. E ndoshta ata mund të jenë të fundit që do të organizojnë një aktivitet kulturor pranë Piramidës, e cila me vendim të qeverisë shqiptare do të shembet e në vend të tij do të ndërtohet parlamenti i ri i Shqipërisë. Pas këtij prezantimi në Tiranë, ku do të bëhet i njohur edhe programi i aktivitetit, festivali do të vijojë rrugën në Prizren. Edicioni i dhjetë do të fillojë në datën 23, deri në 30 korrik.

Programi

“10 Minuta”
Ahmed Imamovic, Bosnje Hercegovina
“Yuri Lenon Landing on Alpha 46”
Anthony Vouardoux, Zvicër.
“Something Left, Something Taken”
Max Porter, Ru Kuwahata, SHBA
“Ark”
Grzegorz Jonkajtys, Poloni
“Incident by a bank”
Ruben Ostlund, Suedi
“The Death of an Insect”
Hanes Va rtiainen / Pekka Veikolainen, Finlandë
“200.000 Phantoms”
Jean Gabriel Perot, Francë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura