“Vetëm kur je atje e kupton”, “tifozi” Asllani që u bë lojtar i Interit tregon në “Panorama TV”: Të shkosh në finalen e Champions me ekipin e zemrës është…
Kristjan Asllani nuk e ka fshehur kurrë që është një tifoz i zjarrtë i Interit dhe fakti se është tashmë pjesë e zikaltërve, e bën edhe më të veçantë karrierën e tij që në moshë shumë të re. Lojtari ka treguar në intervistën për “Panorama Sport” në “Panorama TV” se si ishe të bëhej pjesë e kësaj skuadre dhe për më tepër të shkonte bashkë me të në finalen e Ligës së Kampioneve.

“Ka qenë një emocion shumë i madh. Kur e kam mësuar për Interin e kam thënë me shpejtësi “po” se jam edhe tifoz i tij, Kur shkova ishte edhe më e bukur se të rrish brenda me ato lojtarë i kupton shumë gjëra dhe rritesh me shpejt.
E mbaj mend që isha në grumbullim në Shqipëri me Kombëtaren, mendja ishte pak këtu e pak atje se e desha shumë Interin dhe të shkoja atje. Mendja ishte pak të Kombëtarja e pak te Interi në ato ditë, por pastaj gjëja u bë zyrtare dhe ishim të gjithë të qetë pastaj.
Mbërritja atje? Unë bëra vizitat me Lukakun dhe ai më ka ndihmuar shumë këtë vit. Ai mbaj mend që kishte folur me presidentin dhe i kishte thënë që i ngaja pak më i madh nga koka. Kur ka lojtarë shumë të fortë dhe që flasin për ty është shumë e bukur. Më ka ndihmuar ai dhe të tjerët në këtë vit.
Më kanë pritur mirë të gjithë unë jam lidhur shumë, sidomos me D”Ambrosion. Një profesionist i vërtetë. Ai iku tani nga Interi, por më kanë ndihmuar të gjithë, nga Lautaro te Brozoviç e Xheko dhe unë i falënderoj.
Në skuadër më ngacmojnë pak për golin që i bëra me Empolin, bëjnë pak shaka, por ato ishin ndeshje shumë të bukura. Te Empoli kam luajtur pas dy sulmuesve në sfidat ndaj Interit dhe kanë qenë ndeshje shumë të bukura”, tha fillimisht ai në bashkëbisedimin me moderatoren Vjosana Nozllaku.
“Mosaktivizimi i rregullt? Unë jam shumë i qetë, këtë vit kam mësuar shumë nga lojtarët që kam përpara meje. Të gjithë mesfushorët më kanë ndihmuar, e dinë që isha 20 e tani jam 21 vjeçar. Normale që të gjithë duan të luajnë, por jam i qetë, po mësoj shumë. Unë jam i lumtur dhe avash-avash do të vijnë gjërat.
Më shumë minuta pas largimit të Brozoviç? Nuk e di, të shohim, Unë edhe dje i shkrova, e falënderova. Kam folur nja 10 minuta në telefon me të, është një djalë shumë i mirë dhe e falënderoj shumë.
Finalist në Champions? Medalja e parë, për këtë gjë jam i lumtur, por e donim shumë atë fitore se fusha e tregoi se ishim në atë nivel. Gjynah që nuk e morëm Kupën, por çfarë të bëjmë, futbolli është kështu.
Ishin emocione shumë të mëdha, se ato ndeshje unë i shihja sa herë në TV. Kam shkuar në vitin e parë te ekipi i zemrës dhe shkuam në finale të gjithë bashkë. Nuk erdhi Kupa, shumë gjynah, por shpresojmë të vijë një mundësi tjetër.
Mosaktivizimi në finale? Kam kohë. Nuk është peng. Normale që një futbollist do të luajë, por çfarë të bëjmë, futbolli është kështu. Gjynah që nuk ia dolëm, e dimë vetëm ne çfarë kemi bërë për të arritur deri atje.
Më shumë emocione me fanellën e Interit apo të Kombëtares? Janë të dyja emocione të mëdha. Për një lojtar që bën tifo për Interin që kur është i vogël, të veshë atë fanellë është gjëja më e bukur. Edhe për Shqipërinë është kështu se të gjithë njerëzit, të gjithë fëmijët, duan të luajnë me kombëtaren. Dhe unë kam arritur në kombëtare shumë i ri dhe jam i lumtur që të vazhdoj kështu”, theksoi Asllani në intervistën e tij.
PANORAMASPORT.AL













