Dede i “fiksuar” pas detajeve, objektivi është kualifikimi i Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2026 | 20:42

Dede i “fiksuar” pas detajeve, objektivi është kualifikimi i Egnatias

Egnatia po numëron orët për sfidën e kthimit ndaj Petrokubit, një ndeshje që mund të përcaktojë jo vetëm vazhdimësinë në Ligën e Kampioneve, por edhe rrugëtimin europian të këtij sezoni.

dede

Pas barazimit 1-1 në Moldavi, kampionët e Shqipërisë kanë një mundësi të artë për të shkruar historinë, ndërsa në kampin rrogozhinas nuk lihet asgjë në dorë të rastësisë. Në seancat e fundit stërvitore, trajneri Nevil Dede i ka kushtuar rëndësi të veçantë detajeve taktike dhe përqendrimit. Arsyeja është e thjeshtë. Vetë historia europiane e Egnatias ka treguar se ndeshje të tilla vendosen nga episode të vogla, ndërsa një gabim i vetëm mund të kushtojë një sezon të tërë.

DETAJET – Në Europë, Egnatia e ka provuar disa herë se diferenca mes suksesit dhe eliminimit është shumë e vogël. Ndaj Ararat-Armenisë u ndal vetëm pas goditjeve të penalltive, ndërsa një vit më vonë, përballë Borac Banja Lukës, historia u përsërit sërish, pasi kualifikimi u vendos nga pika e bardhë. Edhe përballja me Olimpija Ljubljanën u zgjat deri në shtesë, ku në fund ishin sllovenët që siguruan kalimin më tej. Në të gjitha këto raste, Egnatia ka qenë në lojë deri në fund, por nuk ka arritur të bëjë hapin vendimtar. Pikërisht ky është edhe mesazhi që Dede po përpiqet t’u transmetojë futbollistëve. Në ndeshje të këtij niveli nuk mjafton vetëm cilësia, por duhet përqendrim maksimal nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit.

PËRQENDRIMI – Shembulli më i freskët është vetë ndeshja e parë në Moldavi. Egnatia e pa veten në disavantazh që në sekondat e para, pas një episodi të pafat, por reagoi dhe barazoi, duke e mbajtur të hapur garën për kualifikim. Një moment i vetëm mjaftoi për të komplikuar ndeshjen, ndaj edhe stafi teknik ka insistuar që skuadra të jetë sa më e kujdesshme në menaxhimin e fazave të ndryshme të lojës. Dalja me top, mbulimet në prapavijë, topat e ndalur dhe menaxhimi i ritmit të ndeshjes janë disa nga elementët ku është punuar më shumë gjatë këtyre ditëve. Në sfida të tilla, edhe një vendimmarrje e gabuar mund të ndryshojë fatin e 90 minutave.

SYNIMI – Egnatia nuk dëshiron që edhe këtë herë historia të vendoset në shtesë apo te penalltitë. Kampionët synojnë ta mbyllin gjithçka brenda kohës së rregullt dhe të sigurojnë kualifikimin e parë në Ligën e Kampioneve. Në Rrogozhinë janë të vetëdijshëm se kundër Petrokubit nuk do të ketë vend për shpërqendrime. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se Europa nuk fal dhe se çdo episod ka peshën e tij. Për këtë arsye, Dede po kërkon një Egnatia të kujdesshme, të përqendruar dhe të duruar. Sepse në një ndeshje ku historia është vetëm një fitore larg, janë pikërisht detajet ato që mund të bëjnë diferencën mes festës dhe një tjetër zhgënjimi europian.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT/AL