Objektivi është kualifikimi, Martini ndryshon gjithçka te Vllaznia për ndeshjen e kthimit
Vllaznia nuk ka humbur kohë pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë ndaj Malishevës dhe vijon përgatitjet me intensitet maksimal për sfidën e kthimit në Conference League. Edhe dita e diel ka qenë pune për kuqeblutë, të cilët kanë zbritur në fushën stërvitore me synimin për të qenë sa më të përgatitur për 90 minutat që do të vendosin kualifikimin në turin e ardhshëm të kompeticionit europian.

Ndryshe nga zakonisht, stafi teknik ka zgjedhur që seanca stërvitore të zhvillohet në orarin e drekës. Një zgjedhje e menduar me kujdes nga trajneri Edi Martini dhe bashkëpunëtorët e tij, për t’i përshtatur futbollistët me orarin në të cilin do të luhet edhe takimi i kthimit. Edhe pse e diela ka qenë dukshëm më e freskët në Shkodër krahasuar me temperaturat e larta që kanë shoqëruar javët e fundit, skuadra ka punuar me ritëm të lartë gjatë gjithë seancës. Në programin e ditës nuk kanë munguar ushtrimet me intensitet, por një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe aspektit taktik.
Martini ka kërkuar zbatim të saktë të detyrave në të dyja fazat e lojës, duke punuar mbi lëvizjet që skuadra duhet të kryejë në situata të ndryshme gjatë ndeshjes. Objektivi është që ekipi të paraqitet sa më i ekuilibruar dhe të minimizojë gabimet përballë një kundërshtari që pritet të kërkojë me çdo kusht përmbysjen. Trajneri shkodran nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë. Edhe pse Vllaznia udhëton me avantazhin e fitores 2-1 të arritur në “Loro Boriçi”, brenda skuadrës nuk ka vend për eufori.
Përkundrazi, fokusi mbetet maksimal, me bindjen se vetëm një tjetër paraqitje serioze dhe e disiplinuar mund t’u sigurojë kuqebluve kalimin në turin e dytë të Conference League. Në kampin shkodran mbizotëron optimizmi, por edhe ndërgjegjësimi se puna nuk ka përfunduar ende. Çdo seancë stërvitore po shfrytëzohet në detaje për të përmirësuar elementët e lojës dhe për të mbajtur skuadrën në nivelin më të mirë të mundshëm, me Vllazninë që synon të mbrojë avantazhin e ndeshjes së parë dhe të vazhdojë rrugëtimin europian.
PANORAMASPORT.AL













