Drejtori gjerman flet për Jurgen Klop: Ne i dimë limitet tona
Pas dështimit të kombëtares gjermane në Kupën e Botës, DFB po përballet me një deficit prej shumë milionë eurosh, pasi eliminimi që në fazën e 1/32 i privoi gjermanët nga bonuset financiare. Në të njëjtën kohë, DFB pritet të shpenzoj edhe më shumë për trajnerin e ri të kombëtares, Jurgen Klop, i cili pritet të zëvendësoj Julian Nagelsman.

Për situatën ka folur edhe drejtori financiar i federatës. Jurgen Klop pritet të përfitoj pak më shumë se shtatë milionë euro nga DFB, nëse nënshkruan kontratën si trajner i kombëtares, e cila do të jetë e vlefshme deri në Kupën e Botës 2030. 59 vjeçari është gjithashtu nën kontratë me Red Bull në rolin e Drejtorit Global të Futbollit deri në vitin 2029. Edhe pse duket e pamundur që kompania e pijeve energjike të kërkoj një shumë milionëshe për lirimin e tij, një skenar i tillë nuk përjashtohet plotësisht.
Sa larg është e gatshme të shkoj DFB për ta bindur Klopin? “Duhet të shohim kushtet e tregut në të cilat po negociojmë. Në fund të fundit, është tregu ai që përcakton çmimin”, theksoi arkëtari i DFB, Stefan Grunvald, duke iu referuar negociatave që janë ende në zhvillim. “Sigurisht që përballemi me sfida të mëdha për shkak të statusit tonë si organizatë jofitimprurëse, edhe pse aktiviteti tregtar është i organizuar si shoqëri komandite.
Ne i dimë kufijtë tanë. Tani duhet të gjejmë ekuilibrin brenda mundësive që kemi,” deklaroi Grunvald. Sipas Grunvaldit, deficiti aktual vlerësohet në rreth 9.4 milionë euro. “Megjithatë, për arsye kontabël, rezultatin përfundimtar mund ta konfirmojmë vetëm në vjeshtë. Në këtë përllogaritje nuk përfshihen efektet e veçanta, si dëmshpërblimet për trajnerët aktualë apo tarifat e mundshme të transferimit për trajnerët e rinj,” u shpreh ai. Kjo do të thotë se dëmshpërblimi për Julian Nagelsman dhe një tarifë e mundshme për lirimin e Klopit do ta rrisnin edhe më tej deficitin. “Duke u bazuar në përvojën tonë me deficitin që ekzistonte deri në vitin 2023, ne e planifikuam buxhetin në mënyrë konservatore,” tha ai. “Detyra ime është të planifikoj në mënyrë që askush të mos ketë arsye për panik.”
PANORAMASPORT.AL













