Ferrari luan gjithçka, revolucion teknik për të luftuar Mercedesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2026 | 9:50

Ferrari luan gjithçka, revolucion teknik për të luftuar Mercedesin

Beteja për titullin e Botërorit në Formula 1 është ndezur plotësisht dhe në Maranelo nuk duan të humbasin trenin. Fitorja në dy nga tri garat e fundit e ka futur Ferrarin seriozisht në garën për kampionatin, por në fabrikën italiane e dinë shumë mirë se makina e tyre ende nuk është aq e kompletuar sa ajo e Mercedesit.

mercedes ferrari

Pjesët e pistës të gjata të drejta të SpaFrancorchamps rrezikojnë të nxjerrin në pah dobësitë e SF-26 përballë “shigjetave të argjendta”. Për ta shmangur këtë skenar, “Scuderia” po përgatit një revolucion të vërtetë teknik për Çmimin e Madh të Belgjikës. Pas zhgënjimit të pësuar në drejtëzat e Austrisë, ku makina u duk qartë inferiore, Ferrari ka zhvilluar me nxitim një konfigurim me ngarkesë të ulët aerodinamike, të përshtatur posaçërisht për pistat e shpejta. Në përputhje me filozofinë e saj aktuale për të marrë rreziqe në kërkim të zgjidhjeve të reja, skuadra italiane do të sjellë në pistë dy përditësime me rëndësi të madhe konceptuale.

EVOLUCIONI I “MAKARENAS” – Atraksioni kryesor në garazhin e kuq do të jetë versioni i evoluar i “Makarenas”, konceptit novator të krahut të pasmë që ka zgjuar kureshtjen e gjithë “paddock”-ut. Sipas “Motorsport Italia”, ky përditësim rrit distancën mes “flap”-eve të lëvizshme dhe profilit kryesor të krahut, një ndryshim që në letër mund të sjellë deri në 11 km/h më shumë shpejtësi maksimale në fund të drejtëzave të gjata belge. Edhe pse ky dizajn po monitorohet nga afër nga FIA pas aksidenteve të fundit të rënda të Maks Vershtapenit në Austri dhe Britani, te Ferrari mbizotëron qetësia. Në Maranelo janë të bindur se interpretimi i tyre përputhet plotësisht me standardet e sigurisë dhe nuk kanë frikë nga ndonjë ndërhyrje apo ndalim nga organi rregullator.

PLANI PËR FUQINË E HUMBUR – Lëvizja e dytë e madhe e Ferrarit do të jetë heqja dorë, për herë të parë, nga sistemi kontrovers STM. Ky element i vogël aerodinamik, i vendosur përpara shkarkimit për të drejtuar gazrat e nxehta drejt difuzorit, tashmë është ndaluar nga FIA për sezonin 2027, me qëllim shmangien e një gare teknike pa kufij. Objektivi kryesor i Loik Serras, drejtorit teknik dhe një prej arkitektëve të makinës, është rikthimi i 7 kuajfuqive të humbura pas kufizimit të sistemit të shkarkimit. Zgjidhja kalon përmes reduktimit të ngarkesës aerodinamike në pjesën e pasme, duke eliminuar “flap”-in e STM-së. Megjithatë, gjithçka mbetet nën kërcënimin e përhershëm të shiut në pyjet e Ardeneve, një lotari meteorologjike që mund ta detyrojë Ferrarin të marrë vendimin e fundit: të rrezikojë me paketën e re, më inovative dhe më të shpejtë, apo të zgjedhë konfigurimin klasik me më shumë ngarkesë aerodinamike. Fitorja në Spa kërkon guxim.

PANORAMASPORT.AL