Vllaznia gjen “asin” e verës, Musta nis me gol dhe duartrokitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2026 | 22:42

Vllaznia gjen “asin” e verës, Musta nis me gol dhe duartrokitje

Vllaznia duket se ka gjetur menjëherë një nga goditjet më të qëlluara të merkatos së verës. Emiljano Musta nuk ka pasur nevojë për shumë kohë për të treguar vlerat e tij, pasi në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit, atë ndaj Malishevës në Conference League, 35-vjeçari ishte ndër futbollistët më të spikatur në fushën e lojës.

vllaznia

Me eksperiencën dhe qetësinë që e karakterizon, mbrojtësi i majtë zhvilloi një paraqitje shumë pozitive, e kurorëzuar edhe me një gol që rezultoi vendimtar në suksesin 2-1 të kuqebluve. Që në minutat e para u pa qartë se Musta i solli një tjetër ekuilibër repartit defensiv të Vllaznisë. Përveç kontributit në prapavijë, ai u shfaq vazhdimisht edhe në fazën sulmuese, duke qenë një alternativë e rëndësishme në ndërtimin e aksioneve. Goli i realizuar ishte shpërblimi i një paraqitjeje të kompletuar, ku eksperienca e fituar ndër vite u vu plotësisht në shërbim të skuadrës së Edi Martinit.

Paraqitja e tij nuk ka kaluar pa u vënë re as nga tifozët shkodranë. Në rrjetet sociale dhe në diskutimet mes mbështetësve kuqeblu, Musta po cilësohet si afrimi më i goditur i kësaj merkatoje deri në këtë fazë të sezonit. Edhe pse sapo ka nisur aventura e tij me fanellën e Vllaznisë, mbrojtësi ka fituar menjëherë besimin e publikut falë sigurisë, personalitetit dhe ndikimit të menjëhershëm në lojën e ekipit. Në fakt, ardhja e Mustës zgjidh një nga problemet më të mëdha që kishte Vllaznia në prag të sezonit të ri.

Pas largimeve të Jagos, Kuros dhe Esin Hakajt, krahu i majtë kishte mbetur një repart që kërkonte ndërhyrje urgjente. Drejtuesit vendosën t’i besojnë eksperiencës së 35-vjeçarit dhe debutimi i tij ka treguar se kjo zgjedhje ka qenë e duhura. Natyrisht, një ndeshje nuk mjafton për të dhënë verdikte përfundimtare, por sinjalet e para janë tepër inkurajuese.

Nëse Musta arrin të ruajë këtë nivel edhe në vazhdim të sezonit, Vllaznia jo vetëm që do të ketë zgjidhur problemin e krahut të majtë, por mund të ketë siguruar edhe një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës për objektivat që e presin në kampionat dhe në arenën europiane.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL