Idhull në ekipin turk, Qazim Laçi: Po pi shumë çaj, e vështirë të gjesh diell
Qazim Laçi është kthyer në idhull në Turqi dhe sezonin e shkuar ishte një nga lojtarët më të rëndëishëm te Rizespori. Mesfushori i Kombëtares, ka zënë vendin e tij në formacion si lider, teksa ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për mediat turke, ku foli për objektivat e skuadrës për edicionin e ri, jetën në Rize, rolin e tij në fushë, golat më të veçantë të karrierës dhe mesazhin për tifozët. Laçi thekson se skuadra nuk dëshiron të mjaftohet me suksesin e sezonit të kaluar dhe se objektivi është të arrijë rezultate edhe më të mira.

Si e vlerëson sezonin e kaluar?
Me një fjalë, e vlerësoj si të suksesshëm. Natyrisht, në disa ndeshje nuk arritëm rezultatet që dëshironim, por duke e mbyllur kampionatin në vendin e tetë, besoj se arritëm një nga renditjet më të mira në historinë e klubit. Edhe në aspektin personal u ndjeva shumë mirë këtu. Fakti që kisha shokë skuadre me të cilët flisnim të njëjtën gjuhë ma lehtësoi procesin e përshtatjes. Unë jam gjithmonë një futbollist që synon të japë kontribut për ekipin. Ndërsa përpiqesha ta ndihmoja skuadrën me golat e mi, synimi im ishte gjithashtu të rrisja nivelin e performancës personale. Mbështetja që mora nga shokët e skuadrës gjatë kësaj periudhe ishte shumë e rëndësishme për mua. Gjithashtu, këshillat e dy trajnerëve me të cilët punova dhe besimi që ata treguan ndaj meje patën një rol të madh në paraqitjet e mia gjatë sezonit të kaluar.
Këtë sezon po përgatiteni për një kampionat edhe më të vështirë…
Sezonin e kaluar e mbyllëm kampionatin në një pozicion shumë të rëndësishëm për klubin. Megjithatë, nuk duam të kënaqemi me kaq. Objektivi ynë këtë sezon është të ngjitemi edhe më lart dhe përgatitjet i kemi nisur pikërisht me këtë mentalitet. Në Superligën turke çdo ndeshje është shumë e vështirë dhe zhvillohet me intensitet të lartë. Për këtë arsye duhet të përgatitesh maksimalisht për çdo takim. Përveç skuadrave të forta që tashmë janë pjesë e elitës, ka edhe ekipe që janë ngjitur nga kategoria e dytë dhe kanë përvojë të konsiderueshme. Prandaj na pret një sezon shumë më konkurrues. Edhe ne po përgatitemi në përputhje me këtë realitet.
Si po kalon jeta në Rize?
Pasi iu bashkova Rizesporit, në familjen tonë erdhi në jetë vajza ime. Duke qenë se është ende shumë e vogël, kalojmë pjesën më të madhe të kohës në shtëpi. Në Rize nuk është e lehtë të gjesh ditë me diell, por kur moti është i bukur na pëlqen shumë të shëtisim buzë detit. Natyrisht, kur përmendet Rize, të gjithëve u shkon mendja te çaji. Edhe ne, sa herë që kemi mundësi, dalim për të pirë çaj. Unë konsumoj mjaft çaj edhe gjatë ditës. Mund të them se e pi pothuajse në çdo rast. E di gjithashtu se Rize është një qytet i njohur për peshkimin. Nuk më pëlqen të peshkoj, por më pëlqen shumë të ha peshk. Edhe në këtë aspekt jam i lumtur që jetoj këtu.
Çfarë mund të thuash për të ardhmen tënde te Rizespor?
Aktualisht kam edhe dy vite kontratë. Prioriteti im është ta shfrytëzoj këtë periudhë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i jap Rizesporit kontributin maksimal në fushë. Në këtë moment të karrierës sime, fokusi im i vetëm është Rizespori. Më pas, koha do ta tregojë se çfarë do të ndodhë.
Në cilin pozicion ndihesh më komod në fushë?
Që nga fëmijëria jam formuar për të luajtur në të gjitha rolet e mesfushës. Mund të aktivizohem si numër 6, numër 8 apo numër 10. Që nga pjesa e dytë e sezonit të kaluar kam luajtur kryesisht si numër 10. Trajneri më jep një liri të rëndësishme në fushë. Kur është e nevojshme zbres si numër 8 për të organizuar lojën, ndërsa në raste të tjera kaloj si numër 6 për të ndihmuar mbrojtjen. Cilido qoftë roli që më besohet, përpiqem gjithmonë të jap maksimumin tim.
Cili është goli që nuk e harron kurrë?
Golat që kam shënuar kundër Fenerbahçes dhe Gaziantep janë shumë të veçantë për mua. Megjithatë, goli ndaj Gaziantepit ka një vend edhe më të veçantë, sepse na solli fitoren.
Ke një mesazh për tifozët?
Sezonin e kaluar patëm momente me ulje-ngritje në rezultate. Megjithatë, sidomos në pjesën e fundit të kampionatit krijuam një identitet të mirë loje dhe arritëm rezultate pozitive. Kërkesa ime më e madhe për tifozët është që të jenë pranë nesh në çdo rrethanë. Ashtu si fitoret i bëjnë ata të lumtur, edhe ne lumturohemi prej tyre. Të festojmë së bashku pas çdo fitoreje ka një vlerë shumë të madhe për ne. Në futboll nuk është gjithmonë e mundur të marrësh rezultatin që dëshiron. Edhe gjatë ndeshjes nuk mund të jesh gjithmonë në epërsi. Pikërisht në ato momente kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve, për motivimin dhe forcën që ata na japin për të ecur përpara. Sezonin e kaluar treguam se çfarë është në gjendje të arrijë kjo skuadër. Edhe këtë sezon duam të realizojmë objektiva edhe më të mëdhenj së bashku me tifozët tanë.
Kush është favoriti yt për Kupën e Botës?
Franca.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













