Juventusi nis përgatitjet për sezonin, Spaleti fton në stërvitje edhe të ardhmen e sulmit të Shqipërisë
Skuadra e Juventusit ka nisur sot përgatitjet për sezonin e ri, me lojtarët të cilët janë paraqitur fillimisht në “J-Medical” për testet mjekësore e më pas kanë kryer edhe një seancë të shkurtër stërvitore nën urdhrat e Luçiano Spaletit.

Ajo që ra në sy që në ditën e parë të grumbullimit të Juventusit, ishte prania në radhët e bardhezinjve edhe e talentit të sulmit të Shqipërisë, Arman Durmishi. Sulmuesi 18-vjeçar ka shkëlqyer me ekipin e moshave të Juventusit dhe nuk është çudi që po djegë më shpejt etapat. Edhe pse në teori ai është ende pjesë e skuadrës Primavera, pritet që këtë vit të luajë me U23 të Juventusit.
Por tashmë edhe Spaleti dëshiron ta shohë në veprim dhe duke shfrytëzuar mungesën e disa prej lojtarëve kryesorë të ekipit, që do i bashkohen me vonesë për shkak të impenjimeve që kishin në Botëror, trajneri e ka bërë Durmishin pjesë të grumbullimit. Ndaj djaloshi i cili deri tani ka luajtur me përfaqësueset e moshave kuqezi, ka qenë që në ditën e parë bashkë me profesionistët, në atë që padyshim do të jetë testi më i rëndësishëm për karrierën e tij deri tani.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













