Në qendër të kritikave për situatën e Vllaznisë, reagon presidenti Xhaferi: Me pasë bisht…
Vllaznia nuk po përjeton një verë të qetë, për shkak të situatës së krijuar me merkaton, ku u larguan shumë prej emrave kryesorë të skuadrës shkodrane në vitet e fundit. Njëkohësisht, nuk u arrit regjistrimi i emrave të rinj për ndeshjet e turit të parë të Ligës së Konferencës për shkak të mospagesës së detyrimeve dhe merkatos së bllokuar nga FIFA.

Në epiqendër të kritikave ka qenë presidenti Alban Xhaferi, i cili është vënë në shënjestër të tifozëve shkodranë të cilët e shohin si shkaktarin kryesor të kësaj situate të krijuar dhe krizës financiare të klubit.
Pas shumë ditësh kritika, më në fund ka reaguar edhe vetë numri 1 i klubit shkodran. Jo nëpërmjet një interviste apo prononcimi për mediat, por me një postim në rrjete sociale. Ai ka zgjedhur një shprehje të At Gjergj Fishtës, për të komentuar situatën.

“Me pasë bisht, ta presin; mos me pasë, ta ngjesin”, ishte shprehja e Fishtës për të cilën ai bëri vetëm një koment të shkurtër. “Fiks ashtu”, shkruante Xhaferi si kundërpërgjigje për kritikat e fundit rreth menaxhimit të çështjes “Kallaku”, i cili i dha lamtumirën klubit shkodran pak ditë para zhvillimit të ndeshjeve në Europë.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













