Shorti i Superiores, flet trajneri i Tiranës: Dueli i parë me Egnatian, sfidë për ne! Do ti ndjekim në ndeshjen e Championsit
Trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç ka folur për mediat pas shortit që u hodh ditën e sotme për kalendarin e Superiores për sezonin e ri 2026/27. Kroati deklaroi se do të shohin ndeshjen e Egnatias në Champions duke qenë se e kanë rivalin e parë në kampionat dhe do të përgatiten sa më mirë për ta nisur mbarë edicionin.

“Shorti është gjithmonë i paparashikueshëm dhe është diçka mbi të cilën nuk mund të ndikojmë. Megjithatë jemi të lumtur. Do ti luajmë dy ndeshjet e para në transfertë, ndeshja e parë do të jetë kundër Egnatias, kampiones në fuqi dhe sigurisht që do të jetë një sfidë për ne. Do të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur për nisjen e kampionatit.
Aktualisht, Egnatia po luan në kualifikueset e Ligës së Kampioneve ndaj të mërkurën do ta ndjekim edhe ndeshjen e tyre. Është pozitive edhe për ne që ti shohim në një kompeticion të tillë përpara se të përballemi me ta”, përfundoi Klafuriç.
PANORAMASPORT.AL













