As me Kukësin dhe as me Skënderbeun, sulmuesi nigerian zgjedh të luaj në Irak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2026 | 14:22

As me Kukësin dhe as me Skënderbeun, sulmuesi nigerian zgjedh të luaj në Irak

Tajo Razak Abiodoun i ka dhënë fund aventurës së tij në futbollin shqiptar. Sulmuesi nigerian, i cili gjatë sezonit të kaluar veshi fanellat e Skënderbeut dhe Kukësit, ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Irak, ku ka firmosur me skuadrën Al Gharraf.

TAJO KUKESI

21-vjeçari ishte një nga lojtarët më të spikatur në Kategorinë e Parë gjatë sezonit të fundit. Në pjesën e parë të kampionatit ai ishte pjesë e Skënderbeut, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ngjitjen e korçarëve drejt Superiores. Me fanellën bardhekuqe realizoi 5 gola dhe dhuroi 3 asistime, ndërsa disa prej golave të tij rezultuan vendimtarë. Në merkaton e janarit, Tajo u huazua te Kukësi, ku vijoi të tregonte vlerat e tij. Me verilindorët shënoi edhe 4 gola, duke luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e mbijetesës së skuadrës në Kategorinë e Parë.

Pas kësaj aventure të suksesshme me dy skuadra shqiptare, sulmuesi ka zgjedhur të largohet nga vendi ynë. Ai nuk do të jetë më pjesë as e Kukësit dhe as e Skënderbeut, pasi karrierën do ta vazhdojë në kampionatin irakian me Al Gharraf. Ndërkohë, si Skënderbeu ashtu edhe Kukësi vijojnë të përballen me probleme në merkato. Korçarët kanë ende të bllokuar merkaton nga FIFA, ndërsa Kukësi duhet të zgjidhë çështjet administrative me FSHF-në. Por, të dy klubet kanë vijuar të lëvizin në merkato, me bindjen se do t’i zgjidhin këto probleme përpara nisjes së sezonit të ri. Skënderbeu ka nisur prej ditësh përgatitjet verore, ndërsa Kukësi pritet ta fillojë shumë shpejt.

PANORAMASPORT.AL