BASKETBOLL/ Shqipëria U-16 e vajzave, medalje argjendi në Divizionin C të Europianit
Shqipëria U-16 e basketbollit të vajzave është kthyer me medalje argjendi nga Divizioni C i Kampionatit Europian, event i zhvilluar në Maltë më datat 7-12 korrik.
Pasi e kishin mbyllur fazën e grupeve me pikë të plota, duke i fituar të tria ndeshjet dhe pas suksesit në një gjysmëfinale tepër emocionuese të shtunën kundër Gjeorgjisë, vajzat kuqezi zbritën dje në parket për finalen e madhe përballë vendëseve të Maltës. Përtej dëshirës së madhe për të mbërritur te medalja e artë, skuadra e drejtuar nga Olsi Muça nuk ia doli që ta kalonte me sukses provën e fundit të kompetecionit, pasi ishin maltezet ato që triumfuan në shifrat 51-76. Pas pjesës së parë të ekuilibruar, loja e Shqipërisë erdhi në rënie, me vendëset që e bënë diferencën në gjysmën e dytë.
NDESHJA – Perioda e parë nisi më mirë për Maltën, me vajzat kuqezi që shënuan vetëm 1 pikë në më shumë se 5 minuta lojë, kundrejt 10 pikëve të vendëseve. Megjithatë, Shqipëria nisi të korrigjojë shënjestrën, me çerekun e parë që u mbyll 14-14. Malta mori periodën e dytë 19-22, duke shkuar në pushimin e madh me epërsinë e përgjithshme 33-36.
Edhe me rikthimin në parket ishin maltezet më të qarta në lojë, për ta fituar çerekun e tretë 8-12, ndërsa shpërthyen në të periodën e fundit, të cilën e morën thellë 10- 28, duke vulosur suksesin final me +25 pikë, për t’u shpallur kështu kampione të Divizionit C në Europianin U16. Helena Byberi me 20 pikë e 9 kërcime, Djona Papaj me 5 pikë e 12 kërcime, si dhe Antea Filopati me 13 pikë, ishin lojtaret që u dalluan në kampin kuqezi. Për Maltën e bëri diferencën Samira Deguara, MVP me 26 pikë e 10 kërcime.

PANORAMASPORT.AL













