Dy firma larg kompletimit, shkodranët nuk ndalen në merkato pas dritës së gjelbër nga FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2026 | 18:59

Dy firma larg kompletimit, shkodranët nuk ndalen në merkato pas dritës së gjelbër nga FIFA

Merkatoja e Vllaznisë po hyn në fazën më të rëndësishme, teksa drejtuesit kuqeblu vijojnë punën për t’i dhënë trajnerit Edi Martini një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri.

Vllaznia Edi Martini

Pas disa afrimeve të realizuara gjatë javëve të fundit, klubi shkodran duket se është shumë pranë mbylljes së edhe dy lëvizjeve të tjera, të cilat pritet të kompletojnë pothuajse të gjitha repartet e ekipit. Dy emrat më pranë zyrtarizimit janë mesfushori Kobiljar dhe sulmuesi venezuelian Corvoda. I pari vjen pas eksperiencës së sezonit të kaluar me Tiranën, ku tregoi cilësi dhe eksperiencë në mesin e fushës, ndërsa Corvoda pritet të sjellë më shumë alternativa në repartin ofensiv, pas sezonit të zhvilluar në kampionatin qipriot. Bëhet fjalë për dy futbollistë që mund t’i japin më shumë cilësi dhe thellësi organikës së Vllaznisë.

Me këto afrime, kuqeblutë duket se po ndërtojnë një skuadër gjithnjë e më të balancuar. Mesfusha fiton një element me eksperiencë dhe aftësi organizuese, ndërsa sulmi shton konkurrencën dhe alternativat, diçka që i ka munguar ekipit në javët e para të përgatitjeve. Pikërisht këto ishin dy repartet ku stafi teknik kërkonte ndërhyrje, për t’i dhënë skuadrës më shumë mundësi zgjedhjeje gjatë sezonit. Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe zyrtarizimet mbërrijnë në ditët në vijim, Vllaznia mund të konsiderohet thuajse e kompletuar.

Ekipi po merr formën që Martini kishte kërkuar, ndërsa grupi po pasurohet me lojtarë që pritet të rrisin nivelin e konkurrencës në çdo pozicion. Kjo i jep stafi t teknik më shumë mundësi për rotacion dhe përzgjedhje, si në kampionat ashtu edhe në arenën europiane. Në këtë situatë, pjesa e mbetur e merkatos nuk pritet të sjellë lëvizje të shumta.

Drejtuesit mund të ndërhyjnë vetëm nëse paraqitet ndonjë mundësi e favorshme në treg ose në rast të ndonjë largimi të papritur. Për momentin, gjithçka të lë të kuptosh se Vllaznia e nëntë herë kampione e Shqipërisë është shumë pranë kompletimit të skuadrës, me synimin për të qenë protagoniste në të gjitha objektivat e sezonit të ri.

PANORAMASPORT.AL