Dino Xof: Ngritja e Kupës së Botës të shkakton drithërima, sekreti i Italisë në triumfin e 1982 ishte…
Dino Xof, një nga kapitenët më legjendarë në historinë e futbollit italian, mbetet edhe sot një fi gurë ikonike. Ai zhvilloi 112 ndeshje me Italinë mes viteve 1968 dhe 1983, duke pësuar vetëm 83 gola, ndërsa vendosi edhe rekordin e jashtëzakonshëm prej 1.142 minutash pa pësuar gol me fanellën e “Axurrëve” mes viteve 1972 dhe 1974.

Xof është gjithashtu i vetmi futbollist italian që ka fituar si Kampionatin Europian (1968), ashtu edhe Kupën e Botës (1982). Në një intervistë për FIFA-n, ai rikthehet te triumfi historik në Spanjë, roli i trajnerit Enzo Bearzot, Paolo Rosi dhe gjendja aktuale e kombëtares italiane.
Italia e pati shumë të vështirë fazën e grupeve, por më pas eliminoi disa nga ekipet më të forta në botë. Sa e veçantë ishte ajo rrugëtim?
Ai rrugëtim tregoi ndjenjën tonë të përgjegjësisë. Në fillim kishim frikë se nuk do ta kalonim fazën e parë dhe kjo na rëndonte shumë. Megjithatë, e dinim se kishim cilësinë për të shkuar deri në fund dhe për ta fituar Kupën e Botës. Në fillim të çdo Botërori ndihesh përgjegjësi e madhe dhe kështu ishte edhe në atë turne, ashtu si në të gjithë Botërorët ku kam marrë pjesë.
Cili ishte sekreti i suksesit të Italisë në vitin 1982?
Enzo Bearzot ishte sekreti i atij triumfi . Pavarësisht polemikave për përzgjedhjet e tij dhe kritikave të shumta, ai ishte një gjeneral që e mbronte skuadrën dhe merrte mbi vete çdo sulm. Ishte i jashtëzakonshëm. Na dha forcë dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Ne fituam për Italinë, për veten tonë, por edhe për Bearzotin. Ai ishte lideri i vërtetë. Unë isha thjesht ai që mbaja shiritin e kapitenit.
Çfarë kujtoni më shumë nga Paolo Rosi në atë Botëror dhe sa shumë i mungon sot Italisë një sulmues si ai?
Paolo Rosi i mungon kujtdo, pavarësisht epokës, dhe kështu do të jetë gjithmonë. Ai kishte aftësinë e rrallë për të shfrytëzuar në maksimum punën e shokëve të skuadrës. Ky ishte një nga talentet e tij më të mëdha. Natyrisht, ai kishte nevojë për skuadrën që ta ndihmonte të shënonte, por një futbollist si Rosi do të shkëlqente në çdo periudhë të futbollit.
Cili është kujtimi që nuk do ta harroni kurrë nga Kupa e Botës 1982?
Më shumë sesa ngritja e trofeut apo puthja e Mbretëreshës, ajo që më ka mbetur në zemër është puthja që i dhashë Enzo Bearzotit. Ai ishte njeriu i vërtetë i asaj skuadre. Nuk mori kurrë vlerësimin që meritonte. U përball vazhdimisht me kritika dhe u trajtua padrejtësisht për arsye politike apo mediatike. Ai sukses ishte fitorja e tij personale, sepse qëndroi i palëkundur përballë gjithçkaje.
Si ndihesh kur mban në duar trofeun e Kupës së Botës?
Është një ndjenjë unike, e pamundur të përshkruhet me fjalë. Në atë moment ndihesh në majë të botës, sidomos pas një rruge kaq të vështirë, ku në fillim kishim frikë se mund të eliminoheshim. Ishte pa diskutim një nga momentet më të lumtura të karrierës sime.
Ju ishit kapiteni i Italisë kampione Bote. Sot kapiten është sërish një portier, Xhanluixhi Donnaruma. A mund të ndërtohet skuadra rreth tij?
Nuk e di nëse ai ka të njëjtin personalitet që kisha unë. Kur u bëra kapiten, kisha pas vetes një karrierë të gjatë dhe shumë përvojë. Pas disa vitesh edhe ai do ta ketë atë bagazh.
Sa e vështirë është që një portier të jetë kapiten?
Është më e vështirë sesa për një lojtar fushe. Nuk mund të flasësh gjithmonë me arbitrin dhe nuk je vazhdimisht pranë aksionit. Megjithatë, ndonjëherë mjafton një shikim për të vendosur gjithçka në rregull.
Cilat janë vlerat që Italia duhet të rizbulojë?
Janë vlerat e sportit, por kur vesh fanellën e kombëtares ato bëhen edhe më të rëndësishme, sepse mbartin përgjegjësi. Italia duhet të ndërtojë një skuadër që t’i fitojë zemrat e njerëzve përmes rezultateve. Sporti është i thjeshtë, ose fiton, ose nuk fiton. Nuk ka rrugë të mesme.
PANORAMASPORT.AL













