Siklete te Tirana, dy ikje dhe një mungesë në stërvitje ndryshojnë planet bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2026 | 21:12

Siklete te Tirana, dy ikje dhe një mungesë në stërvitje ndryshojnë planet bardheblu

Dy ikje dhe një i tretë që nuk paraqitet në stërvitje. Kjo është situata te klubi bardheblu, i cili po afron, ndërsa vazhdojnë t’i largohen emra të rëndësishëm.

tirana

E shtuna solli dy largime për kryeqytetasit, Johan Kortezin dhe Emiljano Mihanën. Më i rëndësishmi ishte i mbrojtësit Johan Kortez. Ai nuk ishte paraqitur ditën e shtunë paradite në miqësore, ndërsa vetë Kortez ka njoftuar largimin nga Tirana. Vendimi i papritur u mësua nga postimi i mbrojtësit në rrjetet sociale. “Faleminderit shumë për çdo gjë Tirana. Ju uroj sukses të madh në çdo gjë”, shkruan Kortez në postimin e tij. 26-vjeçari u afrua me bujë në merkaton e kaluar të dimrit. Në total regjistroi 16 paraqitje me bardheblutë.

LARGIMI – Te bardheblutë nuk ka një njoftim final për largimin. Lojtari ka kërkuar me ngulm largimin dhe duket se është arritur një e mesme për futbollistin. Fakt është se lojtari me ardhjen e disa mbrojtësve të tjerë dilte në plan të dytë.

OFERTA – Tirana pak kohë më parë vendosi të mos heqë dorë nga një prej futbollistëve të saj më të rëndësishëm. Klubi bardheblu kishte refuzuar një ofertë të ardhur nga një klub i huaj për Johan Kortezin, edhe pse propozimi financiar konsiderohej mjaft i favorshëm. Drejtuesit e Tiranës kishin vlerësuar se lojtari është pjesë kyçe e projektit për sezonin e ri dhe, për këtë arsye, nuk kishin dhënë dritën jeshile për transferimin e tij.

TABEKU – Serzh Tabeku ka munguar edhe në stërvitjen e djeshme të Tiranës, duke mos qenë pjesë e grupit. Zyrtarisht, lojtari raportohet se është prekur nga gripi, por situata e tij ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen. Përveç problemit shëndetësor, nuk përjashtohet mundësia që Tabeku të largohet gjatë merkatos së verës. Klubi bardheblu mund të shqyrtojë një ofertë për shitjen e tij, nëse do të mbërrijë një propozim i kënaqshëm. Mungesa e vazhdueshme e tij në këtë fazë përgatitore ka shtuar dilemat, ndërsa pritet të shihet në ditët në vijim nëse sulmuesi do të jetë pjesë e planeve të Klafuriçit për sezonin e ri apo nëse rrugët e tij me Tiranën do të ndahen.

TALENTI – Emiljano Mihana është larguar nga Tirana. 18-vjeçari ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se pas 2 viteve e gjysmë me bardheblutë, po e mbyll këtë rrugëtim. Sulmuesi i falënderoi të gjithë për mundësinë dhe kohën e kaluar me kryeqytetasit. “Pas dy vitesh e gjysmë me fanellën e këtij klubi, ka ardhur momenti të mbyll këtë rrugëtim. Dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për presidencën e klubit që më besoi dhe më dha mundësinë të jem pjesë e kësaj familje. Faleminderit për mbështetjen, respektin dhe besimin gjatë gjithë kësaj kohe. Faleminderit gjithashtu trajnerëve, stafi t, shokëve të skuadrës dhe tifozëve të mrekullueshëm. Largohem me respekt dhe krenari për fanellën që pata nderin ta përfaqësoj”, shkruan ai.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL