FOTO/ Skënderbeu vazhdon punën për sezonin e ri, Ahmataj me ekip XXL në stërvitje por me një mungesë të madhe
Skuadra e Skënderbeut ka zbritur sot në fushën stërvitore për të vazhduar përgatitjet për sezonin 2026-2027, ku tashmë di edhe kalendarin, nën urdhrat e trajnerit të ri, Julian Ahmataj. Ai mori drejtimin e ekipit pas largimit të Ernest Gjokës e do të drejtojë skuadrën në vitin e kthimit në elitë.

Por fillimisht puna e Ahmatajt do të nisë me rindërtimin e një ekipi, pasi te korçarët ka pasur lëvizje të shumta në dalje, por edhe në hyrje. Kështu, në seancën e sotme stërvitore kishte të pranishëm 34 lojtarë në total, me 9 prej tyre futbollistë afrikanë.
Shumë prej këtyre lojtarëve janë në provë dhe trajneri ka dashur t’i shohë në veprim, për të dhënë më pas një opinion nëse duhet të jenë pjesë e ekipit për të këtë sezon apo jo.
Ndërsa kishte një numër të madh lojtarësh në stërvitje, mes korçarëve binte në sy mungesa ndoshta më e rëndësishme, ajo e sulmuesit egjiptian Saleh Nasr. Ky i fundit nuk ka udhëtuar ende drejt Shqipërisë, ndërsa në klub presin që të bëjë një gjë të tillë në ditët në vijim.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













