Besa bëhet “top”, merr edhe ish- mesfushorin e Apolonisë. Kavajasit mund të luajnë më në fund në shtëpi
Besa vazhdon të jetë një nga klubet më aktive të Kategorisë së Parë në merkaton e verës. Verdhezinjtë e kanë nisur herët ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, me objektivin e qartë që ky të jetë viti i fundit në Kategorinë e Parë dhe rikthimi në elitën e futbollit shqiptar të bëhet realitet.

Në Kavajë optimizmi është në maksimum. Përforcimet e deritanishme kanë rritur besimin se Besa do të jetë një nga pretendentet kryesore për ngjitjen në Superiore, ndërsa një tjetër avantazh i rëndësishëm pritet të jetë rikthimi i skuadrës për të luajtur në qytetin e saj. Falë investimeve të Bashkisë së Kavajës, të drejtuar nga kryebashkiaku Fisnik Qosja, si dhe mbështetjes së institucioneve të tjera, aneksi stërvitor i Besës, i njohur si “Fusha e Vjetër”, është transformuar në një impiant modern, që plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve të Kategorisë së Parë. Kjo do t’u japë tifozëve verdhezi mundësinë të mbështesin skuadrën nga afër gjatë gjithë sezonit. Megjithëse drejtuesit kanë afruar disa futbollistë me eksperiencë dhe cilësi, merkatoja është ende e hapur.
Trajneri Gugash Magani kërkon të ketë alternativa të dyfishta në çdo repart, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për objektivin madhor. Pikërisht në këtë kuadër, Besa është shumë pranë një tjetër goditjeje në merkato. Mesfushori Enea Topi pritet të jetë afrimi më i ri i klubit kavajas. Burime pranë klubit bëjnë me dije se 22-vjeçari ka mbyllur bashkëpunimin me Apoloninë pas rënies së fierakëve në Kategorinë e Dytë dhe është një hap larg firmës me verdhezinjtë. Topi konsiderohet një nga mesfushorët premtues të kampionatit dhe vjen me eksperiencë në Kategorinë e Parë. Afrimi i tij do t’i shtonte cilësi dhe alternativa repartit të mesfushës, duke e bërë Besën edhe më të kompletuar në prag të sezonit të ri, ku synimi i vetëm mbetet rikthimi në Kategorinë Superiore.
PANORAMASPORT.AL













