Flamurtari ndryshon kurs në merkaton e futbollistëve, ish-kapiteni i Lushnjës drejt Vlorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2026 | 11:50

Flamurtari ndryshon kurs në merkaton e futbollistëve, ish-kapiteni i Lushnjës drejt Vlorës

Flamurtari duket se ka nxjerrë mësime nga sezoni i kaluar, kur investimet e mëdha te futbollistët e huaj nuk dhanë rezultatet e pritura. Pavarësisht shpenzimeve të konsiderueshme, vlonjatët dështuan të siguronin mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar dhe u detyruan të rikthehen në Kategorinë e Parë.

korreshi lushnja

Për këtë arsye, strategjia e merkatos këtë verë ka ndryshuar. Fokusi është zhvendosur te futbollistët vendas, me eksperiencë në kampionatin shqiptar, ndërsa pritet të shmangen investimet e bujshme që karakterizuan sezonin e kaluar. Objektivi, gjithsesi, mbetet i pandryshuar: rikthimi i menjëhershëm në Superiore. Një tjetër risi është edhe pankina. Flamurtari i ka besuar drejtimin e skuadrës trajnerit Oltijon Kërnaja, me shpresën se tekniku shqiptar do ta udhëheqë ekipin drejt rikthimit në elitë. Klubi ka zyrtarizuar tashmë katër afrimet e para të merkatos. Në repartin ofensiv janë bashkuar Jakup Berisha dhe Mehdi Çoba, ndërsa mbrojtja është përforcuar me Joni Nurjën dhe Elsit Salën. Megjithatë, puna në merkato nuk ka përfunduar, pasi largimet e shumta pas mbylljes së sezonit të kaluar kanë lënë boshllëqe që kërkojnë të plotësohen.

Sipas burimeve pranë klubit, Flamurtari ka arritur marrëveshje edhe me disa futbollistë të tjerë, ndërsa një nga emrat më pranë zyrtarizimit është qendërmbrojtësi Marjus Korreshi. Mbrojtësi vjen nga Lushnja, ku në sezonin e fundit mbajti edhe shiritin e kapitenit, duke qenë një nga liderët e skuadrës myzeqare. Nëse transferimi finalizohet, Korreshi do të jetë një tjetër përforcim me eksperiencë për prapavijën vlonjate. Ai njihet si një mbrojtës i fortë dhe i besueshëm, me një karrierë të gjatë kryesisht në Kategorinë e Parë, cilësi që pritet t’i japin më shumë siguri repartit defensiv të Flamurtarit në sezonin e ri.

PANORAMASPORT.AL