Hysaj “streson” klubet në Itali, paga bëhet problem për liderin e Kombëtares
Merkatoja e verës po hyn në fazën më intensive, ndërsa krahas transferimeve të bujshme, vëmendje të veçantë po merr edhe tregu i futbollistëve të lirë. Mes emrave më të njohur që aktualisht janë pa kontratë spikat edhe mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj.

Futbollisti 31-vjeçar, i cili mbylli aventurën e tij me Lacion, është një nga profilët më me përvojë në listën e lojtarëve të lirë dhe përbën një mundësi interesante për klubet që synojnë të përforcojnë repartin defensiv pa paguar karton transferimi.
Me një karrierë të pasur në Serie A, ku ka veshur fanellat e Empolit, Napolit dhe Lacios, Hysaj sjell eksperiencë të konsiderueshme në nivelet më të larta të futbollit italian. Aftësia e tij për të luajtur në të dy krahët e mbrojtjes, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, e bën atë një alternativë të vlefshme për shumë skuadra.
Edhe pse klubet e interesuara nuk do të duhet të paguajnë dëmshpërblim për transferimin e tij, një marrëveshje eventuale do të kërkojë investim të rëndësishëm në aspektin financiar, për shkak të pagës dhe komisioneve që shoqërojnë transferimet e lojtarëve të lirë. Në javët e ardhshme pritet të ketë zhvillime rreth së ardhmes së Hysajt, i cili mbetet një nga futbollistët shqiptarë më të vlerësuar në tregun europian dhe një emër që mund të tërheqë interesin e disa klubeve në Itali dhe jashtë saj.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













