“I kuqi ndryshoi ndeshjen”, Mesi e pranon dhe tani ëndërron të bëhet si Maradona: Argjentinasit përjetojnë ende atë të vitit 1986
Argjentina ka siguruar kalimin në gjysmëfinalet e Kupës së Botës për herë të tretë në karrierën e tij, si asnjë argjentinas më parë. Dhe këtë herë, ai ka mundësinë që të përsëritë rrugëtimin e legjendës argjentinase Diego Armando Maradona.

Përballë do të ketë Anglinë, një rival historik për shumë arsye për Argjentinën, si në aspektin sportiv, ashtu edhe për çështje politike që kthehen vazhdimisht në tema të nxehta. Dhe vetë Mesi nuk e ka fshehur pas ndeshjes mbrëmë se ëndërron që të ketë mundësinë që të lërë shenjë edhe ai ndaj Anglisë, siç bënte Maradona në vitin e famshëm 1986, kur dy golat e tij bënë histori.
“Është fantastike të jesh përsëri në gjysmëfinale dhe është gjithashtu fantastike të përballesh me Anglinë, kundër së cilës nuk kam luajtur kurrë. Shikoj videot nga e kaluara, nga ndeshja e vitit 1986 të cilën argjentinasit e shikojnë dhe e ripërjetojnë gjithmonë. Ky grup është mësuar të luajë pavarësisht kundërshtarit”, tha Mesi i cili u ishte bashkuar koreve të tifozëve “kush nuk kërcen është anglez” në fushën e lojës pas sfidës.
Më pas ai kishte elozhe për shokët e skuadrës që siguruan këtë gjysmëfinale të radhës. “Ajo që po bëjnë është e jashtëzakonshme. Kjo është arsyeja pse duhet ta shijojmë këtë moment, siç po e përjetojnë të gjithë, siç po e përjetojmë ne. Do të shkojmë në gjysmëfinale për të konkurruar edhe një herë, siç bëjmë gjithmonë, kundër një superfuqie, kundër një skuadre të shkëlqyer. Do të përpiqemi të pushojmë dhe të arrijmë në formën më të mirë të mundshme.
Jam i lumtur sepse shënoi Hulian, sepse shënoi Lautaro. Kishim nevojë që të dy të shënonin kështu. Na u desh të vuanim edhe këtë herë, sepse u mbyllëm shumë mbrapa. Kartoni i kuq e ndryshoi lojën”, tha futbollisti i cili në këtë ndeshje dha asistin e 10 në karrierë në historinë e Botërorëve.
PANORAMASPORT.AL













