Aleksi nuk është vetëm, edhe ai që i solli të kuqin mbetet si tifoz! Përfundon në spital pas 3 minutash lojë
Skuadra e Egnatias do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj moldavëve të Petrokub në Ligën e Kampioneve pa pasur në radhët e tyre kapitenin Albano Aleksi. Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq në sfidë e parë pas një faulli ndaj Bogaçiuk dhe do të mungojë në të dytën që luhet në Rrogozhinë.

Por ajo që bie në sy është se edhe skuadra e Petrokub do të luajë pa kapitenin në ndeshjen e kthimit në vendin tonë. Pikërisht Bogaçiuk, kapiteni i skuadrës në ndeshjen e djeshme në kampionatin moldav ndaj Balti, është dëmtuar pas vetëm 3 minutash lojë në barazimin 1-1.
Pas një rrëzimi, ai pësoi dëmtim në klavikul në shpatull dhe u desh që të shoqërohej menjëherë me ambulancë në spital, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Kësisoj, as ai nuk do të jetë i pranishëm për ndeshjen e dytë të skuadrës, duke lënë vendin bosh në krahun e djathtë të mesfushës së ekipit të Petrokub dhe duke qenë një telash më pak për rrogozhinasit në sfidën në shtëpi.
PANORAMASPORT.AL













