Gjyqtari i skandalit Kalulu-Bastoni zbarkon në Rrogozhinë, mund të vendosë fatin e Egnatias në Champions përkrah atij që drejtoi në Superiore
Egnatia luan këtë mesjavë ndeshjen e kthimit ndaj Petrokub të Moldavisë, ndaj të cilës do të tentojë të fitojë për të kaluar turin e parë në Ligën e Kampioneve për herë të parë në historinë e vet. Do të jetë një ndeshje me rëndësi dhe shumë delikate, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në transfertë.

UEFA ka caktuar edhe gjyqtarët për duelin në fjalë, duke ia besuar ndeshjen një grupi maltezësh me kryesor Filip Farruxhia. 37-vjeçari ka drejtuar prej disa vitesh në Europë, ndërsa duhet theksuar se falë bashkëpunimeve të federatave, në vitin 2019 ka drejtuar edhe një sfidë mes Laçit dhe Vllaznisë në Superiore.
Asistentë të tij janë Jurgen Spiteri dhe Mark Ciantar, me Glen Tona si gjyqtar të katërt. Por ajo që bie në sy më shumë janë emrat e zgjedhur për të ndihmuar me video-teknologjinë.
Në sallën e VAR, përgjegjës do të jetë një emër i njohur në Itali, siç është Mikael Fabri. Ndërkohë, në AVAR është caktuar një gjyqtar i cili krijoi jo pak telashe në sezonin e fundit në Serinë A. Ai është Federiko La Pena, i cili drejtoi ndeshjen mes Interit dhe Juventusit ku i tregoi kartonin e kuq Pierr Kalulu të bardhezinjve pas simulimit të Alesandro Bastonit, duke përfunduar më pas në qendër të polemikave për drejtimin e tij e duke qëndruar për një periudhë të gjatë larg fushave të lojës.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













