Pushimet drejt fundit, Bylisi me shumë dilema për të zgjidhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2026 | 20:11

Pushimet drejt fundit, Bylisi me shumë dilema për të zgjidhur

Bylisi është një nga klubet që preket më shumë nga rregulli i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit për reduktimin e numrit të futbollistëve të huaj në fushë. Duke qenë se prej vitesh filozofia e klubit është mbështetur kryesisht te merkatoja e huaj, ndryshimet e fundit e detyrojnë drejtuesit të rishikojnë strategjinë për ndërtimin e skuadrës.

bylis

Amnistia e vendosur nga FSHF për sezonin 2026-2027 u jep një frymëmarrje të përkohshme mallakastriotëve, por nuk e zgjidh plotësisht situatën. Për këtë arsye, drejtuesit do të duhet të ndërtojnë një projekt më të balancuar, me më shumë hapësira edhe për futbollistët vendas. Ndërkohë, pushimet verore janë drejt fundit. Pas një periudhe më të gjatë se zakonisht, edhe për shkak të rënies në Kategorinë e Parë, Bylisi pritet të nisë javën e ardhshme përgatitjet për sezonin e ri. Objektivi është i qartë, ndërtimi i një skuadre konkurruese që do të synojë rikthimin e menjëhershëm në elitën e futbollit shqiptar. Në seancat e para stërvitore pritet të jenë të pranishëm disa futbollistë të ekipit B dhe të akademisë, të cilëve do t’u jepet mundësia të tregojnë vlerat e tyre. Gjithashtu, në Ballsh do të mbërrijnë edhe disa lojtarë në provë, të cilët do të testohen nga stafi teknik përpara se të merret një vendim për të ardhmen e tyre. Për momentin, ndryshimet në organikë kanë qenë të pakta.

Përndreca është huazuar, ndërsa Përgjoni është larguar, por klubi nuk ka zyrtarizuar ende ndonjë tjetër largim. Pjesa më e madhe e grupit mbetet nën kontratë, edhe pse për futbollistë si Koxhi, Bruno, Adeduro dhe Marku ka interes konkret nga klube të Superiores, përfshirë edhe skuadra që do të marrin pjesë në kupat e Europës. Megjithatë, drejtuesit e Bylisit nuk kanë ndërmend të nxitojnë. Merkatoja është ende e gjatë dhe në Ballsh synojnë të shqyrtojnë me kujdes çdo ofertë, duke pranuar vetëm ato që janë në interesin e klubit.

Paralelisht, po punohet edhe për afrimin e elementëve me perspektivë, si nga kampionati shqiptar, ashtu edhe nga jashtë vendit. Ideja është që skuadra të ndërtohet mbi një bazë të qëndrueshme, duke u dhënë më shumë hapësira edhe futbollistëve të rinj. Me kampionatin e Kategorisë së Parë që do të nisë në muajin shtator, Bylisi ka ende kohën e nevojshme për të kompletuar organikën dhe për të krijuar një skuadër të aftë të rivalizojë për rikthimin në Superiore. Duke parë nivelin e skuadrave pjesëmarrëse dhe ndryshimet në strukturën e kampionateve, gara për vendet e para pritet të jetë më e fortë se kurrë. Java e ardhshme pritet të zbulojë shumë nga enigma që rrethojnë skuadrën mallakastriote.

Tifozët presin të mësojnë më shumë rreth projektit të sezonit të ri, ndërsa klubi është gati të nisë punën edhe në aspektin logjistik. Stadiumi dhe impiantet stërvitore janë përgatitur prej ditësh, duke krijuar të gjitha kushtet që Bylisi të nisë zyrtarisht përgatitjet për sezonin 2026-2027.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL