Transferimi gjatë verës i futbollistit të Kombëtares, shpjegohet presidenti: Nuk mund t’i ofronim kontratë trevjeçare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2026 | 23:44

Transferimi gjatë verës i futbollistit të Kombëtares, shpjegohet presidenti: Nuk mund t’i ofronim kontratë trevjeçare

Një nga lojtarët e Kombëtares që ka ndryshuar skuadër gjatë merkatos së verës është Ylber Ramadani. Mesfushori i dha lamtumirën Leçes dhe Serisë A për të zbarkuar në Turqi, në radhët e Çorum.

seferi aliji ramadani daku

Vetë presidenti i Leçes, Saverio Stiki Damiani, ka shpjeguar se pse u lejua të largohej Ramadani, me të cilin klubi kishte vendosur të aktivizonte klauzolën e rinovimit njëvjeçar të marrëveshjes me të.

“Sa i përket Ramadanit, kemi venë në zbatim opsionin e njëanshëm që kishim për zgjatjen për një tjetër vit të kontratës, pastaj erdhi oferta nga Turqia. Nuk mund t’i propozonim një rinovim trevjeçar kontrate një lojtari që po shkonte drejt moshës 31-vjeçare.

Ndaj ishte një operacion logjik i merkatos. Ramadani ishte i lumtur, fola me të disa ditë më parë dhe ishte shumë mirënjohës ndaj klubit tonë.

Edhe në sezonin e kaluar kemi bërë një lëvizje të ngjashme me Baskiroton nga erdhi edhe shpërthimi përfundimtar i Tiago Gabriel në vendin e tij. Shitja e Ylberit do t’i krijojë hapësira të reja Ngom, për të cilin kemi bërë një investim të rëndësishëm”, tha Stiki Damiani duke shpjeguar largimin e mesfushorit shqiptar.

PANORAMASPORT.AL