Dritë në fund të tunelit për Vllazninë, Musta dhe veteranët japin leksion karakteri në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2026 | 20:51

Dritë në fund të tunelit për Vllazninë, Musta dhe veteranët japin leksion karakteri në Europë

Vllaznia hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në turin e dytë të Conference League, duke mposhtur me përmbysje 2-1 Malishevën në “Loro Boriçi”. Një fitore që vlen shumë, jo vetëm për rezultatin, por edhe për mënyrën se si erdhi.

musta

Mes një morie problemesh që kanë shoqëruar kuqeblut gjatë javëve të fundit, nga merkato e kufizuar e deri te federimi i futbollistëve, skuadra e Edi Martinit tregoi se di të reagojë në momentet më të vështira, duke nxjerrë në pah karakterin dhe eksperiencën e saj. Një nga figurat kryesore të mbrëmjes ishte pa diskutim Emiljano Musta. Mbrojtësi i majtë, i afruar në këtë merkato vere, zhvilloi një paraqitje thuajse perfekte.

Ai ishte i pakalueshëm në fazën mbrojtëse, fitoi shumicën e dueleve dhe i dha siguri repartit defensiv, ndërsa në anën tjetër të fushës u bë vendimtar edhe në sulm, duke realizuar golin që riktheu Vllazninë në lojë. Një debutim që konfirmoi se afrimi i tij mund të rezultojë një nga goditjet më të goditura të merkatos së kuqebluve. Përtej Mustës, peshën e skuadrës e mbajtën edhe futbollistët me eksperiencë. Klinti Qato, Edon Murataj dhe Jasmin Çelikoviç ishin ndër ata që nuk u dorëzuan asnjë moment, duke udhëhequr ekipin me qetësi dhe personalitet.

Pikërisht në momentet kur Vllaznia ishte në disavantazh, eksperienca e këtyre lojtarëve bëri diferencën, duke i dhënë skuadrës ekuilibrin dhe besimin për të përmbysur rezultatin. Kjo fitore mund të vlejë më shumë sesa thjesht avantazhi përpara ndeshjes së kthimit në Kosovë. Ajo tregoi se Vllaznia ka krijuar një grup që di të vuajë dhe të reagojë, edhe kur rrethanat nuk janë në favor të saj. Një ekip që arrin të fitojë mes vështirësive fiton edhe besimin se mund të përballojë sfida edhe më të mëdha gjatë sezonit.

Natyrisht, asgjë nuk është mbyllur ende dhe përballja e kthimit ndaj Malishevës do të kërkojë të njëjtin përqendrim dhe të njëjtën sakrificë. Megjithatë, baza që kuqeblut ndërtuan në ndeshjen e parë është premtuese. Karakteri, eksperienca dhe fryma e grupit ishin armët që i çuan drejt përmbysjes, ndërsa nëse këto elemente do të shoqërojnë skuadrën edhe në vazhdim, atëherë Vllaznia ka arsye të besojë se mund të ndërtojë një sezon të suksesshëm, si në Europë, ashtu edhe në kampionat.

PANORAMASPORT.AL