Uellsianë, suedezë dhe kazakë! UEFA cakton gjyqtarët për ndeshjet e skuadrave të Superiores në Ligën e Konferencës
Vllaznia, Dinamo dhe Elbasani do të luajnë në mesjavë ndeshjet e kthimit në Ligën e Konferencës, me shpresën që të arrijnë të kalojnë në turin tjetër të kompeticionit. UEFA ndërkohë, ka caktuar gjyqtarët për këto sfida të ekipeve të Superiores.

Gjithçka nis të mërkurën me duelin në orën 16:30 ku Vllaznia do të tentojë që në transfertën përballë Malishevës të ruajë avantazhin e fitores 2-1 të siguruar në ndeshjen e parë. UEFA ka caktuar gjyqtarë nga Uellsi për këtë ndeshje me Tomas Geri Ouen si kryesor. Ljuis Ros Eduards dhe Martin Roberts janë asistentë të tij, ndërsa Aleks MekInç është caktuar i katërt.
Të enjten, do të luhet fillimisht në Astana dueli mes vendasve dhe Dinamos, që është caktuar të drejtohet nga gjyqtarë suedez. Oskar Xhohnson do të jetë kryesor, me Markus Lundgren Klite dhe Runo Sebastian Robertson si asistentë, ndërsa Adi Aganoviç është i katërt.
Ekipi i fundit i Superiores që zbret në fushë është Elbasani, në duelin ndaj BATE Borisov që do e luajë në Azerbajxhan. Danilar Sahi nga Kazakistani është caktuar si gjyqtar kryesor, me bashkëkombësit e tij Sergei Vasiutin dhe Samat Tergeusizov si asistentë, ndërsa Georgi Tshehovski është caktuar i katërt.
PANORAMASPORT.AL













