Klop-Gjermania, ja pikat kryesore të kontratës. Mbetet vetëm dakordësia përfundimtare dhe miratimi i DFB
Jurgen Klop dhe Federata Gjermane e Futbollit (DFB) kanë arritur një marrëveshje për një bashkëpunim gjatë bisedimeve të zhvilluara në kuadër të Kupës së Botës. Edhe pse nënshkrimi i ish trajnerit të Liverpulit dhe Borusia Dortmundit nuk është finalizuar ende, kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për tu zgjidhur.

Bisedimet e nivelit të lartë në Nju Jork kanë dhënë rezultatin e dëshiruar. Siç bëri të ditur DFB në një deklaratë zyrtare, është arritur një marrëveshje me kandidatin e tyre të preferuar për postin e trajnerit të kombëtares “mbi pikat kryesore të një kontrate të mundshme”. Me fjalë të tjera, sapo të kapërcehen pengesat e fundit të vogla, Klop mund të firmos kontratën. Është shumë e pamundur që marrëveshja të dështoj në momentet e fundit.
Prandaj, Klop pritet të marrë së shpejti drejtimin e kombëtares gjermane, duke pasuar Julian Nagelsmanin, i cili dha dorëheqjen pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës. Marrëveshja u parapri nga një “diskutim intensiv me Jurgen Klop për marrjen e mundshme të postit të trajnerit të kombëtares”, i zhvilluar mes presidentit të DFB, Bernd Nojendorf, dhe zëvendëspresidentit Hans Joakim Vatzke, thuhet në deklaratën zyrtare.
DFB shtoi më tej: “Bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme. Të dyja palët janë të bindura se negociatat (në varësi të arritjes së një marrëveshjeje me punëdhënësin aktual të Klopit, Red Bull) mund të përfundojnë me sukses.”
Kjo do të thotë se DFB pret me bindje që të finalizoj së shpejti angazhimin e Klopit. Marrëveshja, pasi të arrihet dakordësia e plotë me Red Bullin, duhet vetëm të miratohet “në një mbledhje të përbashkët të bordit mbikëqyrës dhe të asamblesë së aksionarëve të DFB”, sqaroi federata.
Nojendorf dhe Vatzke udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara. Sipas gazetës “Bild”, ata zhvilluan një takim që zgjati më shumë se katër orë me Klopin dhe këshilltarin e tij. Klop pritet të nënshkruaj një kontratë që do ta mbaj në krye të kombëtares deri në përfundim të ciklit të Kupës së Botës 2030. Ai pritet të sjell me vete bashkëpunëtorët e tij, të cilët do të emërohen si trajnerë ndihmës te kombëtarja gjermane. Sipas raportimeve, paga vjetore e Klopit do të jetë pak më e lartë se shtatë milionë eurot që përfitonte në vit Julian Nagelsman para largimit të tij.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL













