Federata i përgjigjet kritikave për trajnerin Nagelsman, nuk ndryshohet qëndrimi
Kur Julian Nagels man mori drejtimin e kombëtares gjermane në vjeshtën e vitit 2023, ai nënshkroi një kontratë me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) deri në përfundim të Kupës së Botës 2026. Megjithatë, që në janar të vitit 2025, 38 vjeçarit iu ofrua një zgjatje e parakohshme dyvjeçare e kontratës, vendim që tani i është kthyer në disavantazh DFB pas eliminimit turpërues nga Kupa e Botës. Fakti që Julian Nagelsman mori një zgjatje të parakohshme të kontratës në janar 2025, duke e shtyrë marrëveshjen e tij deri në vitin 2028, shkaktoi habi te ekspertët.

Në fund të fundit, trajneri i kombëtares ende nuk kishte arritur ndonjë sukses të madh me Gjermaninë, pasi ishte eliminuar në çerekfinalet e Kampionatit Evropian të zhvilluar në shtëpi. Pas eliminimit zhgënjyes nga Kupa e Botës dhe shkarkimit të mëvonshëm të trajnerit, zgjatja e bashkëpunimit rezultoi ta vendoste DFB në një pozicion të pafavorshëm negociues. Në vend që ta linte 38 vjeçarin të largohej në përfundim të kontratës, federata u detyrua t’i paguante atij një dëmshpërblim të konsiderueshëm prej rreth 7 milionë eurosh.
Megjithatë, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka hedhur poshtë kritikat që janë ngritur lidhur me këtë marrëveshje. “Kishte arsye të forta,” theksoi arkëtari i federatës, Stefan Grunvald duke folur për zgjatjen e parakohshme të kontratës me ish trajnerin e kombëtares.
“Edhe pse nuk kam qenë përgjegjës për negocimin e kontratës, edhe sot do ta mbështesja atë vendim, sepse kushtet në atë kohë ishin të favorshme.” Sipas raporteve, në momentin kur u zgjat kontrata, Nagelsman kishte tërhequr interesin e disa klubeve që dëshironin ta rikthenin ish trajnerin e Bajernit në futbollin e klubeve.
Për të shmangur këtë skenar, DFB vendosi ta siguronte paraprakisht qëndrimin e 38 vjeçarit duke ia zgjatur kontratën edhe për dy vite, deri në Kampionatin Evropian të vitit 2028. Një vendim që tani pritet t’i kushtoj shtrenjtë financiarisht federatës. “Parashikimet tona pas pushimeve verore do të tregojnë se si do të ndikoj ndryshimi i trajnerit,” deklaroi Grunvald. “Buxheti i përgjithshëm është hartuar për të dalë në ekuilibër financiar, pasi federata ka mundësinë të reduktoj ose të shkurtoj projekte sipas nevojës.”
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL













