“Të bindur që mund të fitojmë ndeshjen e kthimit”, Brdariç bëhet gati për përmbysje ndaj Vllaznisë: Respekt për të, por kemi ekip të mirë
Thomas Brdariç mendon se Malisheva ka mundësi që të përmbysë humbjen 2-1 ndaj Vllaznisë në ndeshjen e Ligës së Konferencës që luhet nesër në Hajvali dhe të kalojë në turin tjetër të turneut.

Në konferencën në vigjilje të ndeshjes, tekniku gjerman i cili në të kaluarën ka drejtuar pikërisht skuadrën shkodrane në dy etapa të ndryshme, theksoi se ekipi kosovar kishte cilësitë e duhura për t’u përballur me Vllazninë dhe për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë.
‘Ne jemi të bindur që mund të fitojmë këtu në Kosovë. Përgatitjet ishin të duhura. Kemi gjithçka që na duhet, jemi përgatitur mirë në stërvitje.
Ne duhet të përgatitemi dhe të përmirësohemi si ekip, kjo është detyra jonë. Nuk duhet të jemi të dëshpëruar nga humbja, por të mësojmë shpejt. Kemi bërë analizë dhe kemi punuar në disa aspekte. Është proces dhe e shohim si një mundësi për t’u rritur.
Vllaznia është një skuadër me shumë traditë, kanë ekip të mirë. E marrim shumë seriozisht dhe me shumë respekt, por edhe ne kemi një ekip shumë të mirë”, ishin fjalët e trajnerit i cili tashmë drejton Malishevën.
PANORAMASPORT.AL













