Tirana fërkon duart, bardheblutë presin okazionin nga Rumania
E ardhmja e Anton Kresiç te CFR Kluzh duket se është drejt fundit. Mbrojtësi kroat, i cili u rikthye këtë verë në Rumani pas përfundimit të huazimit te Tirana, nuk është përfshirë në skuadrën që ka udhëtuar drejt Sllovenisë për fazën përgatitore, një sinjal i qartë se nuk bën më pjesë në planet e klubit.

Sipas mediave rumune, drejtuesit e CFR Kluzh, me në krye pronarin Ioan Varga, synojnë ta shesin përfundimisht 28-vjeçarin gjatë kësaj merkatoje, duke i dhënë fund bashkëpunimit mes palëve. Kresiç nuk ka arritur të bindë në dy sezonet e fundit.
Fillimisht ai u huazua te Gorica në Kroaci, ndërsa sezonin e kaluar veshi fanellën e Tiranës në Superiore. Edhe pse u ble përfundimisht nga Rijeka në korrik të vitit 2024 për 400 mijë euro, pasi kishte lënë përshtypje të mira gjatë huazimit te CFR në sezonin 2023/24, mbrojtësi kroat nuk arriti të ruante të njëjtin nivel.
Përveç disa aktivizimeve sporadike nën drejtimin e Andrea Mandorlinit, Kresiç mbeti jashtë planeve të trajnerëve të tjerë dhe tashmë është nxjerrë plotësisht jashtë projektit sportiv të klubit. Kontrata e tij me CFR Kluzh është e vlefshme deri në korrik të vitit 2027, ndërsa sipas Transfermarkt, kartoni i mbrojtësit vlerësohet aktualisht me 300 mijë euro. Gjatë aventurës së tij me CFR Kluzh, Kresiç regjistroi 44 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar një gol dhe duke dhënë katër asiste.
PANORAMASPORT.AL













