“Murinjo, dua të ribashkohemi”, Marash Kumbulla: Ende e kujtoj trofeun në Tiranë
E ardhmja e Marash Kumbullës mbetet një nga çështjet që pritet të zgjidhet gjatë javëve të ardhshme në merkaton e verës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është rikthyer te Roma pas huazimit te Majorka, ndërsa prej ditësh emri i tij lidhet me një transferim të mundshëm te Torino, që vazhdon ta monitorojë nga afër. Megjithatë, për momentin prioriteti i 25-vjeçarit është të nisë përgatitjet me verdhekuqtë dhe të bisedojë me trajnerin Xhan Piero Gasperini për të kuptuar nëse do të ketë hapësira në projektin e ri teknik.

Kumbulla është grumbulluar normalisht nga Gasperini për fazën përgatitore në Trigoria, edhe pse konsiderohet një nga futbollistët që mund të largohet gjatë kësaj merkatoje. Pas dy sezoneve në Spanjë, fillimisht me Espanjolin dhe më pas me Majorkan, mbrojtësi shqiptar është rikthyer në kryeqytetin italian, ndërsa Roma dhe përfaqësuesit e lojtarit do të marrin një vendim përfundimtar vetëm pas një vlerësimi të situatës.
Torino mbetet një nga klubet më të interesuara për shërbimet e tij, por nuk përjashtohet as mundësia që Kumbulla të vijojë karrierën në Serie A ose të rikthehet në La Liga. Në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”, mbrojtësi shqiptar ka folur për të ardhmen, eksperiencën në Spanjë, raportin me Mourinhon, si edhe mundësinë për të punuar me Gasperinin, duke pranuar se do të donte të punonte.
E ARDHMJA- “Nuk e di ende se çfarë do të ndodhë. Tani jam te Roma dhe do të shoh nëse do të kem mundësinë të luaj kartat e mia. Nëse jo, atëherë bashkë me klubin do të kërkojmë një zgjidhje që të jetë e mirë për të dyja palët”, u shpreh Kumbulla. Mbrojtësi theksoi se nuk do ta kishte problem të vazhdonte te Roma, por në rast largimi dëshiron të gjejë një skuadër ku të ndërtojë diçka afatgjatë.
“Nëse qëndroj te Roma, për mua është shumë mirë, sepse nuk kam pasur kurrë probleme me klubin. Nëse largohem, shpresoj të gjej një ekip ku të qëndroj për disa vite, një klub me projekt të qartë. Mendoj se Serie A dhe La Liga janë kampionatet më të përshtatshme për mua.
Eksperienca jashtë Italisë më ka ndihmuar të rritem shumë si futbollist dhe si njeri. Është një përvojë që do t’ia këshilloja çdo lojtari”, vijoi mbrojtësi kuqezi. Kumbulla foli edhe për rikthimin në Trigoria dhe mundësinë për të bindur trajnerin e ri, Gian Piero Gasperini. Sipas tij, stili i lojës së teknikut italian mund të nxjerrë në pah cilësitë e tij, pasi më parë ka punuar me Ivan Juriç te Verona, një trajner me ide të ngjashme. “Mendoj se kam karakteristika që përshtaten me mënyrën e lojës së Gasperinit. Te Verona kam punuar me Juriçin, i cili ka shumë ngjashmëri me të. Sigurisht që më pëlqen ideja për të punuar me të, sepse është një nga trajnerët më të mirë në Itali dhe në Europë. Por fillimisht duhet të flasim dhe të kuptojmë planet e klubit”, u shpreh Kumbulla.
ZHOZE MURINJO- Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe eksperiencës me Zhoze Murinjon, trajnerin me të cilin fitoi Ligën e Konferencës në vitin 2022. Kumbulla nuk i fshehu emocionet kur kujtoi finalen e Tiranës. “Murinjo është një trajner për klube si Real Madridi. Nëse rrugët tona do të kryqëzoheshin sërish, do të ishte kënaqësi. Falë tij kam përjetuar një nga netët më të bukura të jetës sime. Më ndodh shpesh të rikthehem me mendje te finalja e Tiranës, te Roma, trofeu, tifozët dhe fakti që gjithçka ndodhi në vendin tim”, shtoi ai.
LA LIGA- Në fund, mbrojtësi shqiptar u ndal edhe te përvoja në La Liga, ku pati mundësinë të përballej me disa nga sulmuesit më të fortë në botë. “Përveç Kilian Mbape, që është zgjedhja më e lehtë, do të veçoja Aleksandër Sorloth. Ishte një nga kundërshtarët më të vështirë që kam pasur përballë”, tha ai mes tjerash.
Për momentin, Kumbulla do të vazhdojë të stërvitet me Romën gjatë fazës përgatitore, ndërsa e ardhmja e tij pritet të sqarohet në javët në vijim. Torino mbetet në pritje të zhvillimeve, por vendimi final do të merret vetëm pasi mbrojtësi shqiptar të zhvillojë bisedimet me drejtuesit e klubit verdhekuq dhe trajnerin Xhan Piero Gasperini.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













