Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2014 | 15:58

Tirana-Vllaznia kryesore“Klasikja” shqiptare vishet bardheblu. Tirana ka mposhtur 2-1 Vllazninë dhe e ka parakaluar në renditje. As shiu i dendur që e kishte kthyer stadium “Qemal Stafa” dje në një “liqen”, nuk i ndali kryeqytetasit. Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga fundi, tashmë ata e shohin veten një hap larg mbijetesës. Golat e Vrapit dhe Morinës kanë zhvlerësuar penalltinë e kthyer në gol prej Bushiçit, duke i dhënë kështu një trepikësh me vlera Tiranës, që hedh një hap të sigurtë drejt mbijetesës. Nën një stadium të tejmbushur, ku të pranishëm ishin afro 4300 tifozë, ndeshja u karakterizua nga futbolli fizik dhe duelet e ashpra, kjo si pasojë edhe e terrenit të rënduar.

TIRANA-VLLAZNIA 2-1
GOLAT Vrapi 19′, Morina 47’/ Bushiç 35′
TIRANA: Lika, Pashaj, Muça, Vrapi, Kalari, Taku, Karabeci, Kërçiku (Deliç 70′), Ndikumana, Morina (Kahata 63′), Gilberto (Koreshi 92′). (në dispozicion: Sejdo, Limani, Çota, Kaja); Trajner: G.Magani.
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Vukçeviç, Sykaj (Tafili 60′), Boci, Gocaj, Bardulla, Shtubina, Hajdari (Dibra 75′), Beqiri, Kruja, Bushiç. (në dispozicion: Selimaj, Kraja, Dema, Belisha, Marku); Trajner: D.Haxhiosmanoviç.
KARTONË TË VERDHË: Kalari 34′ Morina 35′, Pashaj 75’/ Vukçeviç 52′, Bardulla 75′
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: L.Jemini, D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
15′ Hajdari rrezikon, por gjuajtja e tij shkon vetëm ngjitur me shtyllën.
16′ Boci tenton nga distanca, pas një asisti të Krujës, por topi përfundon mbi tra.
19′ Goditje dënimi, ekzekuton Morina, Pashaj pason me kokë te Gilberto, ky i fundit gjuan, por topi mbetet në vend, Vrapi i ndodhur në zonë, shtyn në rrjetë dhe 1-0.
23′ Goditje këndi e Morinës por Vujadinoviç pret ndonëse me vështirësi.
27′ Kros në zonë për Vllazninë, Pashaj ndërhyn ndaj Shtubinës, pretendohet penallti, por Jemini vazhdon lojën.
35′ Goditje dënimi për Vllazninë, Boci kroson në zonë, Morina ndërpret në një dyluftim Bardullën, dhe kryesori këtë herë akordon 11-metërsh, që kthehet në gol nga Bushiç dhe 1-1.
47′ Ndikumana merr krahun, kroson nga e majta në zonë, aty ku Morina gjen hapësirën e duhur, gjuan dhe shënon, 2-1.
55′ Goditje dënimi, Kruja gjuan mirë, por Muça neutralizon në kohë rrezikun.
65′ Kruja kombinohet me Bocin, ky i fundit godet fluturimthi, por është sërish Muça që ndal gjithçka.
66′ Vukçeviç provon me kokë, por nuk gjen kuadratin.
78′ Ndikumana bën gjithçka mirë, futet në zonë, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.
85′ Rrezik në portën e Tiranës, gjuan Boci por Vrapi e largon, topi kthehet sërish te Boci dhe këtë herë pret mrekullisht Lika.
90′ Kruja hedh një top në zonë me kokë, por Lika pret gjithçka, duke shmangur një gol të sigurt.
93′ Shtubina galopon, futet në zonë, gjuan nga e majta, por Karabeci neutralizon gjithçka.
94′ Goditje këndi e Krujës, por edhe këtë herë Lika shpëton kuadratin.

Pjesa e parë Loja ka nisur e qetë dhe pa raste, madje ishte e vështirë që të shihje një aksion të rrjedhshëm, pasi pellgjet e ujit krijonin vështirësi për të dyja ekipet. Rasti i parë vjen në të 15- ën prej miqve, me një gjuajtje të rrezikshme të Hajdarit, e cila përfundon vetëm ngjitur me shtyllën. Pak sekonda më vonë tenton edhe Boci nga distanca, pas një asisti të Krujës, por topi shkon vetëm mbi tra. Loja mbetet më së shumti në mesfushë, megjithatë Tirana në të parin rast që krijoi zhbllokoi shifrat. Në të 19-ën Morina ekzekutoi një goditje dënimi, ku Pashaj pason me kokë drejt Gilbertos, ky i fundit gjuan por topi mbetet në vend. Vrapi i ndodhur në zonë, shtyn në rrjetë dhe 1-0. Megjithatë, ky gol nuk u jep qetësi bardhebluve, ndaj mundohen që të gjejnë hapësira dhe t’i afrohen portës mike. Në të 23-ën Morina gjen portën nga goditja e dënimit, por Vujadinoviç pret edhe pse me vështirësi. Në të 27-ën ka një moment të diskutueshëm, kros në zonë për Vllazninë, Pashaj ndërhyn ndaj Shtubinës dhe pretendohet penallti, por Jemini vazhdon lojën. Pasi kalojnë vetëm 8 minuta lojë, kryesori akordon penallti për kuqeblutë. Goditje dënimi për Vllazninë, Boci kroson në zonë, Morina ndërpret në një dyluftim Bardullën dhe kryesori këtë herë sinjalizon 11-metërsh. Gjuan Bushiç nga pika e bardhë dhe nuk gabon, duke barazuar kështu shifrat në 1-1. Ky fraksion nuk sjell më asgjë në fushë, përveç incidenteve në tribuna nga ana e tifozëve, që nisin “luftën” mes tyre, me hedhjen e stolave, çadrave dhe shashkave.
Pjesa e dytë Kjo pjesë nis e shpejtë për Tiranën që gjen avantazhin në të 47-ën. Ndikumana merr krahun, kroson nga e majta në zonë, aty ku Morina gjen hapësirën e duhur, gjuan dhe shënon, 2-1. Ka festë te bardheblutë, megjithatë Magani kërkon qetësi dhe administrativin e rezultatit. Kjo sjell edhe më shumë volum loje, pasi edhe shkodranët nuk mund të pranonin kurrsesi disfatën. Në të 55-ën ka goditje dënimi. Kruja gjuan mirë, por Muça neutralizon në kohë rrezikun. Mbrojtësi i Tiranës edhe në të 65-ën shmang një gol të sigurtë, pas një goditje të Bocit. Provon edhe Vukçeviç një minutë më vonë me kokë, duke gjetur kuadratin. Bardheblutë kishin mundësi që të trefishonin shifrat, teksa në të 78-ën Ndikumana bën gjithçka mirë, futet në zonë, por gjuajtja e tij përfundon vetëm jashtë. Vllaznia ngulmon dhe në të 85-ën rrezikon portën e vendësve, gjuan Boci, por Vrapi e largon, topi kthehet sërish te Boci, por këtë herë pret mrekullisht Lika. Minutat e fundit të lojës, por edhe ato 5 nga shtesa, sjellin episode të rrezikshme në portën e kryeqytetasve. Ilion Lika, edhe pse i dëmtuar, arrin të bëjë mrekullinë me pritjet dhe ndërhyrjet e tij. Në kushte të tilla Tirana siglon fitoren e pestë radhazi, dhe i shkakton Vllazninë humbjen e parë pas 5 javësh.

MË I MIRI
Vrapi dhe Morina ishin padyshim lojtarët më aktivë në fushën e lojës. Jo vetëm pasi shënuan golat, por pasi kanë bërë më së miri detyrat e tyre në fushë. I pari në mbrojtje, ndërsa i dyti në vijën e parë. Për t’u vlerësuar ishte edhe sakrifica e Likës, që qëndroi në portë i dëmtuar. Notë pozitive meriton edhe Bardulla, i cili ishte tepër luftarak në 90-minuta lojë.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Vllaznisë nuk ishte në një ditë të mirë dje. Beqiri dhe Sykaj ishin larg pritshmërive, teksa kanë humbur disa dyluftime. Sakaq, në golin e parë që shënoi Tirana, përgjegjësia ishte e Bocit dhe Shtubinës, të cilët kishin mundësi që të markonin Pashajin, i cili asistoi me kokë. Por edhe sulmi nuk bëri asgjë në ato pak raste të krijuara.

Magani konference para ndeshjes me SkenderbeunMagani: Hodhëm hapin e madh, e merituam
E cilëson këtë si fitoren e madhe. Një trepikësh që i ka shijuar pa masë, pasi tashmë Tirana me Gugash Maganin e sheh veten një hap larg mbijetesës. Në një intervistë të dhënë për mediat, tekniku vlerëson lojën dhe shpirtin e skuadrës, që ditën të sfidonin edhe terrenin e rënduar.
Një fitore që vlen shumë, tashmë jeni një hap larg sigurimit të mbijetesës?
Ishte një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat, pasi jemi në pozita që luftojmë për mbijetesë. Mendoj që kemi fituar përballjen më të vështirë të javëve të fundit. Jam i kënaqur, pasi tashmë 90 për qind në Superiore.
Terreni ua vështirësoi objektivin?
Skuadra iu përshtat shumë mirë terrenit dhe mendoj se kemi marrë një fitore shumë të merituar.
Rrezikuat duke e mbajtur portierin Lika në fushë?
Ai është pikë kyçe e Tiranës dhe tregoi se karakter dhe shpirt luftarak. E komplimentoj, pasi luajti me dhimbje.
Morina sërish gol, ndërkohë që është protagonist edhe në 11 metërshin e shkaktuar…
Unë po e këshilloja Morinën në atë moment në fakt, pasi nuk ishte pozicionuar aty ku duhej. Ishte një moment moskoordinimi i tij dhe shkaktoi atë penallti. Mendoj që me pak punë, ashtu si edhe lojtarët e tjerë të rinj, e kanë përligjur fanellën që mbajnë.
Tri ndeshje të mbetura, ka shanse për Europën?
Ne kemi bërë një hap të sigurt për mbijetesën, por nuk mund të them që kemi shpëtuar, pasi matematika nuk na e jep ende këtë të drejtë. Nëse do të fitojmë ndaj Kastriotit, në dy ndeshjet e fundit na mjafton vetëm një pikë.
U përfol shumë për një barazim të mundshëm përpara ndeshjes…
Thashethemet janë prezente edhe në futboll. Kam pasur shumë telefonata dhe takime nga tifozë të Tiranës, të cilët më kërkonin shpjegime për diçka të tillë. Unë kam qetësuar secilin, duke i garantuar që ne do të futeshim në fushë për fitore. Nuk mund të pranonim që të bënim një vetëvrasje duke ndarë barazimin, pasi nuk ishte edhe diçka profesionale.
Në të ardhmen çfarë do të ndodhë?
Me kënaqësi do të punoja me këtë ekip edhe në të ardhmen.
Kujt ia dedikoni këtë fitore?
Unë e kam përjetuar këtë ndeshje si derbi i parë që fituam me Partizanit. Ndaj shkova dhe festova me tifozët, pasi ne dhe ata jemi një. Ndaj ua dedikoj atyre dhe në veçanti një tifozi special, Alban Berishës.
Morina apo Lika?
E Morinës dhe e Likës. Fitore e të dyve.

“Mbijetesa shijon më shumë se titulli”
Endri Vrapi ka realizuar golin e parë si bardheblu. Por për të më shumë vlerë ka mbijetesa, sesa një gol. “Mbijetesa është më pranë, por do vazhdojmë të luftojmë. Goli për mua nuk është një eveniment madhështor, pasi më shumë vlerë ka shpëtimi. Megjithatë ua dedikoj tifozëve. Sa i përket festës që bëra para ultrasve të Vllazninë, nuk kisha asnjë arsye, thjesht isha më pranë portës. Titullin e kam provuar disa herë. Tani që po provoj mbijetesën, them se kjo shijon më shumë, sepse aty tregohen vlerat e lojtarëve, pasi përgjegjësitë janë më të mëdha. Të marrësh përsipër shpëtimin e Tiranës dhe t’ia arrish, është diçka shumë e madhe dhe e vlerësueshme”.

“Goli më i bukur, shmanga gabimin”
Mario Morina ka qenë njeriu i ndeshjes, pasi veç golit, asistoi në golin e parë, si dhe shkaktoi penallti. Megjithatë duket se këtë fitore e ka shijuar pa masë, teksa për mediat tha: “Jam i lumtur për fitoren, golin dhe çdo episod të kësaj ndeshjeje. Nëse takimi do të kishte përfunduar barazim, do të kisha qëndruar disa net pa gjumë, pasi do të ishte i gjithë faji im. Ndaj këtë gol që shënova e cilësoj më të bukurin, pasi erdhi një në përballje delikate. Kjo ishte finalja jonë, treguam vlerat ndaj një kundërshtari direkt si Vllaznia. Sfiduam edhe terrenin. Jemi thuajse të shpëtuar. Goli shkon për një tifoz special”.

Haxhiosmanovic, apo Deda, ne ndeshjen Vllaznia-Skenderbeu 1-0“Deda” ia faturon humbjen terrenit: S’do dilnim pa pikë
Dervish Haxhiosmanoviç ia faturon terrenit të rënduar këtë humbje. Trajneri i Vllazninë është i kënaqur nga loja e tijve, deh qartëson se skuadra u ndëshkuar vetëm nga dy episode dhe asgjë më tepër. Gjatë deklaratës që lëshoi për mediat, tekniku analizoi këtë 90- minutësh, si edhe përmendi disa nga faktorët që sollën disfatën e parë për të, pas 5 fitoresh radhazi. “Jemi ndëshkuar vetëm nga dy goditje standarde dhe nuk mendoj që Tirana na ka vizituar shpeshherë në portën tonë. Në pjesën e dytë kemi bërë një ndeshje me të mirë, duke mbajtur edhe topin më tepër në zotërim, por nuk mjaftoi. Ky është futbolli. Por terreni i rënduar na penalizoi së tepërmi. Të mos kishte qenë në këto kushte fushe, nuk do të dilnim pa pikë. Me atë fushë e patëm të vështirë, ndaj nuk arritëm që të dilnim në lojën tonë. E përsëris që jemi mundur vetëm nga dy episode, ndaj nuk mund të them se na mposhti Tirana, pasi ne luajtëm dobët. Por edhe vonesat e shumta, ishte një tjetër faktor që na kushtëzoi”, – tha fillimisht “Deda”, për ndeshjen. Më tej ai është ndalur te objektivi, teksa e cilëson takimin me Besën si vendimtar për mbijetesën. “Ndeshja vendimtare mbetet ajo ndaj Besës në Kavajë. Ai është shansi ynë i vetëm që na ka mbetur, ndaj duhet ta shfrytëzojmë me çdo kusht. Unë besoj shumë te mbijetesa. Kam lojtarë cilësorë, dhe nuk e diskutoj shpëtimin. Nuk mund të them gjë tjetër”, – shtoi ndër të tjera trajneri malazez. Më tej ai sqaron se në tri takimet e mbetura Vllaznia e tij ka synime të qartë, që të marrë maksimumin. Por kjo do të nisë duke filluar nga Besa. “Neve duhet të fitojmë të tria takimet, por Besa është takimi vendimtar për ne”, – përfundoi tekniku.

“Luftë” në tribuna, thyhen xhamat e dy autobusëve
Kanë sfiduar shiun dhe në momente kanë dhuruar spektakël, megjithatë incidentet nuk i kanë shmangur dot. Për të mos thënë se mes dy tifozërive ka pasur edhe luftë në tribuna. Gjithçka ka nisur me thyerjen e xhamave të dy autobusëve që transportuan ultrasit shkodranë, që ishin parkuar te sheshi “Nën Tereza”. Më tej përplasje ka pasur edhe gjatë hyrjes në stadium, megjithatë kjo nuk pengoi që të futeshin në “Qemal Stafa”. Afro 4300 tifozë të pranishëm, 1300 prej të cilëve kishin ardhur nga Shkodra. Në të 14-ën vlen të evidentohet një rast, kur Kalari ishte duke gjuajtur një goditje këndi, teksa miqtë hodhën çadra dhe shashka, por për fat mbrojtësin s’e arritën. Pas golit të Tiranës, konkretisht në të 19-ën, nisi një “luftë” mes grupimeve, që nisën të fluturonin stola, çadra, shishe e shashka. Dhe forcave të rendit iu desh shumë punë që të vendosin qetësinë. Por asgjë nuk mbaroi këtu, pasi në të 28-ën një “lumë” letrash zaptuan një pjesë të madhe të fushës, të cilat u hodhën nga tifozët e Tiranës. Madje Jemini kërcënoi edhe me ndaljen e ndeshjes, por më pas i kërkoi Karabecit që të qetësonte ultrasit bardheblu. Por gjithsesi për 5 minuta loja u ndal, deri sa u larguan letrat edhe smogu që zaptoi stadiumin prej shashkave dhe tymuesve.

Rastet e diskutueshme, Vllaznia pretendoi 2 penallti
Ndeshja e djeshme ka rezervuar raste të shumtë për moviolë, që duhen parë edhe riparë. Në të 27-ën kros në zonë për Vllazninë, Pashaj ndërhyn ndaj Shtubinës, pretendohet penallti, por Jemini vazhdon lojën. Ndonëse momenti është shumë i diskutueshëm. Në të 33-ën goditje dënimi për Vllazninë, Boci kroson në zonë, Morina ndërpret në një dyluftim Bardullën dhe kryesori këtë herë akordon 11-metërsh dhe jep të verdhë Morinës. Megjithatë, arbitri e ka falur sulmuesin e Tiranës, pasi në atë rast meritonte të kuq. Një tjetër moment është ai i Karabecit, i cili ndal me dorë topin në zonë, megjithatë në këtë rast Vllaznia nuk pretendoi asgjë.

Menaxheri i Etos ndjek nga kabina “klasiken”
Menaxheri i Samuel Etos, sulmuesit kamerunas të Çelsit, ka qenë dje i pranishëm në “Qemal Stafa”. Klaudio Vigoreli ka ndjekur nga afër “klasiken” Tirana-Vllaznia. Italiani është akomoduar dje në një prej kabinave të stadiumit kombëtar, për të parë një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 30-të të Superiores. Nuk dihet ende nëse ka parë ndonjë futbollist në veçanti, megjithatë nuk përjashtohet mundësia. Mbetet për t’u zbuluar nëse dikush nga bardheblutë apo shkodranët i ka rënë në sy menaxherit të Etos. Sakaq, e sigurtë është që të premten ai është takuar me përfaqësues të dy klubeve të kryeqytetit, konkretisht të Partizanit dhe Dinamos, ku është interesuar për ekipet zinxhirë.

S’ka premio për Tiranën
Tirana ka fituar një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, atë që u cilësua si finalja e finaleve. Trepikëshi i arritur me Vllazninë ka shtuar optimizmin te bardheblutë, pasi tashmë ndihen të shpëtuar. Donatorët Halili e Morina në fund të takimit shkuan në dhomat e zhveshjes dhe përgëzuan lojtarët. Por nga sa mësohet, kjo fitore nuk do të shoqërohet me premio, pasi lojtarët shumë shpejt do të marrin bonuset nga aneks-kontratat.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"