Firmosin Vrapi e Vashaku, vijnë edhe dy nigerianë. Dede dhe Tirana gjejnë qetësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2013 | 13:29

Firmosin Vrapi e Vashaku, vijnë edhe dy nigerianë. Dede dhe Tirana gjejnë qetësinë

Vrapi ne plan te pare, Skenderbeu ne stervitjeEndri Vrapi dhe Bledar Vashaku kanë firmosur zyrtarisht dje me Tiranën. I pari largohet nga Skënderbeu në limit, ndërsa portieri ishte lojtar i lirë në treg, dhe dje në mbrëmje ka mbyllur gjithçka. Mbrojtësi ka mbyllur kështu një aventurë 3-vjeçare me bardhekuqtë dhe dje pasdite është vënë nën urdhrat e bardhebluve. Pasi ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare, lojtari ka nisur stërvitjen me ekipin. Ka qenë vetë mbrojtësi, i cili për “Panorama Sport” shpjegon arsyet e zgjedhjes së tij: “Bisedova sot (dje) në mëngjes me drejtuesit e Skënderbeut, por nuk ramë dakord. Pavarësisht se dëshira ekzistonte, ndryshimi i kushteve të kontratës bënë që unë të largohesha”. Burime pranë klubit korçar theksojnë se Vrapit i ishte ofruar një kontratë 1- vjeçare, me një shumë afro 20 milionë lekë në vit, ndërkohë që bardheblutë i kanë dhënë diçka më shumë. Kjo mendohet se ka qenë një ndër arsyet më kryesore që mbrojtësi nuk ka rënë dakord me kushtet e rinovimit që i kanë ofruar te Skënderbeu.
Federimet – Milan Jovanoviç dje në mesditë ka firmosur kontratën e tij me Tiranën. Ka mjaftuar një seancë stërvitore që lojtarit t’i ofrohet një marrëveshje, ndërsa vetë ai nuk ka nguruar që ta nënshkruajë për 1 vit me ekipin kryeqytetas. Orët e fundit të merkatos ishin tepër të ngarkuara për Tiranën. Drejtuesit e klubit kanë qenë në bisedime me lojtarë të ndryshëm. Për këtë arsye, nga lista e federimeve janë lënë 3 vende bosh, ku pritet që të shtohet ndonjë lojtar, qoftë edhe në formë huazimi. Bylisi ka dhënë OK-in vetëm për dy nigerianë, Adigun dhe Bolan, të cilët janë regjistruar në mbrëmje në listën e federimeve të ekipit. Sakaq, bisedime ka pasur edhe me portierin Stivi Frashëri apo Jetmir Sefën, por nuk u zyrtarizua asgjë.

Ja lojtarët e federuar
1. Marsel Çaka
2. Xhino Sejdo
3. Bledar Vashaku
4. Elvis Sina
5. Entonio Pashaj
6. Afrim Taku
7. Gentjan Muça
8. Ardit Peposhi
9. Dorian Kërçiku
10. Mirel Çota
11. Ilir Kastrati
12. Ervis Kaja
13. Ervis Çaço
14. Ilir Çaushaj
15. Glorian Hoxha
16. Reinaldo Kalari
17. Fatmir Hysenbelliu
18. Mensur Limani
19. Roland Peqini
20. Erando Karabeci
21. Erion Hoxhallari
22. Vedran Gerc
23. Endri Vrapi
24. Ergys Sorra
25. Milan Jovanoviç
26. Olalekan Bola
27. Adebajo Adigun

Dede NevilDede gjen qetësinë: Triumfojmë dhe e nisim si pretendentë
Nevil Dede sheh një Tiranë pretendente, pas prurjeve të fundit. Ai deklaron se bardheblutë do të synojnë fitoren ndaj Laçit dhe shprehet i sigurt për këtë. Sakaq, komenton afrimet e fundit, apo dilemat që ka për formacionin që do të zbresë sot në fushë, ora 17:00, në “Qemal Stafa”. Këto dhe të tjera ai i thotë në një intervistë të dhënë pak para seancës së fundit stërvitore.
Si e shihni Tiranën pas konfirmimit të sponsorëve dhe përforcimeve të fundit?
Lojtarët janë më të qetë, pasi kanë siguri financiare. Sa i përket merkatos, mendoj se është krijuar një grup i mirë.
Ju vetë si ndiheni, krahasuar nga një javë më parë kur shprehët publikisht shqetësimin tuaj?
Më i qetë edhe unë, pasi kemi marrë formë si ekip.
Çfarë prisni nga ndeshja me Laçin?
Fitoren, do të synojmë vetëm trepikëshin.
Ka nevojë ende skuadra për ndërhyrje?
Edhe kemi nevojë për ndërhyrje, por në kompleks jam i kënaqur.
Nga dy sulmuesit e huaj çfarë prisni?
Nga kroati Gerc pres shumë. Nuk mund të garantoj sa gola do të bëjë, por e di që do ketë paraqitje dinjitoze. Ndërsa për Jovanoviç është shpejt për të folur, ka vetëm dy ditë që ka ardhur.
Porta është e blinduar?
Për momentin, të gatshëm kemi vetëm Çakën.
Keni një ide të qartë për formacionin?
Kam dilema. Gati janë vetëm lojtarët aktualë, pa prurje.
Kush do të jetë kapiten?
S’e kam vendosur, pasi do të flas edhe me sponsorët. Do jenë vendimmarrës edhe ata në këtë pjesë.
Karabeci, Peqini, Vrapi do luajnë nesër (sot)?
Ende nuk e di.
Cilat janë objektivat e Tiranës?
Deri tani janë tri vendet e para, por do jemi pretendentë edhe për titullin.

Premio për fitore, priten edhe rrogat
Do të ketë shpërblim në rast fitoreje. Është ky premtimi që i kanë bërë tri sponsorët ekipit bardheblu para ndeshjes me Laçin. Nëse kryeqytetasit do e nisin mbarë këtë edicion, donatorët kanë menduar që të japin një premio. Shifrën ende nuk e kanë komunikuar, për t’u dhënë është më shumë moral lojtarëve. Por jo vetëm kaq, ata kanë dhënë garanci se brenda javës së re futbollistët do të marrin nga një rrogë. Paratë janë gati, madje është përgatitur edhe lista e pagave për të gjithë futbollistët që janë pjesë e ekipit dhe shumë shpejt do të marrin një pagë. Nuk dihet nëse do bëhet likuidim për ndonjë rrogë të prapambetur, apo do të jetë për muajin gusht. Megjithatë, një gjë e tillë pritet që të zbardhet në ditët e ardhshme.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"