Zyrtarizohet partia e Limajt dhe Krasniqit

Feb 28, 2014 | 19:58
SHPËRNDAJE

Gjate prezantimit të subjektit te ri politik
PRISHTINE- Këtë të premte është bërë zyrtarisht hapja e Nismës për Kosovën, subjekti më i ri politik në Kosovë, i themeluar nga dy ish-anëtarë të PDK-së, Jakup Krasniqi dheFatmir Limaj.

Në praninë e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, është bërë zyrtarisht prezantimi i këtij subjekti politik.

Kryetari i kësaj partie është emëruar Fatmir Limaj, kurse, kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është emëruar kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën.

Në fjalën e tij, Limaj tha se “Kosova nga sot do të ketë një alternativë të re politike. Ju ftoj të bashkoheni me Nismën sot, për ta ndryshuar të ardhmen tonë”.

Ai ka shtuar se “Kosova nuk është në rrugë të mirë, qytetarët e saj janë lodhur, qytetarët janë lodhur nga iluzionet dhe demagogjia, nga premtimet boshe nga pritjet pakufi dhe nga pasiguria për të ardhmen”.

Kurse Jakup Krasniqi në cilësinë e kryetarit i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën ka lexuar programin e partisë, ku mes tjerash ka pëmendur çështjet më të ndjeshme, që nga fati i personave të pagjetur e deri te problemet ekonomike, arsimore e shëndetësore.

Përpos Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit, kryesia e kësaj partie është e përbërë nga: Ilaz Sherifi, Imri Ilazi, Xhevat Bislimi, Izet Ibrahimi, Sejdulla Hoxha, Muharrem Kuçi dhe Haxhi Shala.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura