Zyhdi Dajti: Nuk jam njoftuar ende për padinë

Feb 26, 2011 | 12:23
SHPËRNDAJE

Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Zyhdi Dajti, u shpreh dje se ende nuk është njoftuar për padinë që është bërë ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës nga Ministria e Brendshme. Ndërsa për sa i përket vendimit të Ministrisë së Brendshme për dorëzimin e armëve, Dajti ka shpjeguar gjithçka në letërkëmbimin që ka pasur me drejtorin e Policisë së Tiranës, Saimir Muçaj, pas shkresës për dorëzimin e armëve. “Veprimet që ne po kryejmë tani janë më tepër procedurale, po përgatisim shkresat në bazë të legjislacionit në fuqi”, u shpreh dje për gazetën kryeinspektori Dajti. Në letrën që i drejtoi drejtorit të Policisë së Tiranës, drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës shprehej se: “Pajisja me armë e Policisë Bashkiake nuk bëhet në të njëjtën mënyrë siç pajisen personat fizikë dhe juridikë nga komisariatet e policisë në vend”. Sipas Dajti, heqja e të drejtës dhe pajisja me armë zjarri nuk është atribut i Policisë së Shtetit, ndaj dhe nuk është në tagrin e policisë heqja e armëve të zjarrit për Policinë Bashkiake, gjë që përbën shkelje ligji. “Në ligjin nr. 8224, neni 14 i këtij ligji përcakton se Policia Bashkiake dhe ajo e Komunës ka uniformën e saj, të ndryshme nga Policia e Shtetit, e cila miratohet nga ministri i Pushtetit Lokal. Punonjësit e saj kanë shenjën dalluese dhe numrin personal. Punonjësit e Policisë Bashkiake dhe të Komunës pajisen me armë. Pajisja me armë, mënyra e ruajtjes dhe e mbajtjes së saj rregullohet me akte të ministrit të Rendit Publik (aktualisht ministri i Brendshëm). Në nenin 15 të këtij ligji, ministri miraton rregulloren tip të Policisë Bashkiake dhe të Komunës, rregullore e cila normon dhe pajisjen e përdorimin e armëve të zjarrit nga punonjësit e Policisë Bashkiake”,  thuhet në shkresën që Dajti i adresoi drejtorit të Policisë së Tiranës, Saimir Muçaj. Duke argumentuar në këtë mënyrë, Policia Bashkiake nuk ka i ka dorëzuar armët Drejtorisë së Policisë së Tiranës, edhe pse aktualisht asnjë polic i bashkisë nuk mban në brez armë zjarri, përveç pajimeve të tjera, që edhe ato janë të sanksionuar me ligj, ashtu si edhe për armët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura