Zvicër, punëtori qëllon në fabrikë, vret dy kolegë dhe veten

Feb 28, 2013 | 12:58
SHPËRNDAJE

Një punëtor i fabrikës austriake “Kronospan” në Menznau, Zvicër, e cila merret me punime druri, ka hyrë në fabrikë dhe ka qëlluar me armë duke vrarë dy kolegë e duke plagosur shtatë të tjerë. Më pas edhe ai është gjetur nga policia i pajetë, por nuk ka detaje se si ka vdekur. Ngjarja ka tronditur qindra punëtorë dhe askush nuk e priste reagimin ekstrem të kolegut të tyre. Drejtori i fabrikës ka deklaruar për policinë se “Ai ishte një njeri i qetë, punonte këtu prej dhjetë vitesh, por kohët e fundit kishte dhënë shenja problemesh psikike. Fliste vetëm dhe kishte vizione”. Kohët e fundit, fabrika kishte njoftuar se do të ulte prodhimin për shkak të uljes së kërkesave e si pasojë do të kishte edhe shkurtime në staf. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, kur sulmuesi ka hyrë në sallën e punës dhe ka qëlluar një grup kolegësh. “Kronospan” ka të punësuar rreth 400 persona. Sulmuesi ishte 42 vjeç dhe baba i një fëmije.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura