Zvarritja e gjyqit, ish-avokatit të Dajtit i hiqet licenca për 5 muaj

Apr 30, 2013 | 12:08
SHPËRNDAJE
Ish-avokati i Dajtit, Hasaf Hadëraj

TIRANE – Komisioni i Disiplinës vendosi dje t’i pezullojë për pesë muaj licencën avokatit Hasaf Hadëraj, për shkak të mosparaqitjes së tij në procesin gjyqësor ndaj Dritan Dajtit. Referuar këtij vendimi, duke filluar nga dita e sotme dhe në pesë muajt në vazhdim, avokati Hadëraj nuk mund të ushtrojë detyrën e tij si mbrojtës ligjor. Gati një vit më parë Hadëraj ka qenë mbrojtës i të pandehurit Dajti, por ka hequr dorë nga përfaqësimi i tij në gjyq. Për këtë veprim ai ka vënë më pas në dijeni, seancë pas seance, Gjykatën për Krimet e Rënda. Duke e konsideruar si jo të rregullt qëndrimin e avokatit, trupi gjykues i dosjes “Dajti” herë pas here i ka kërkuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë marrjen e masave ndaj avokatit. Vendimi për pezullimin e licencës së tij u mor në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Disiplinës pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Burime brenda mbledhjes konfirmuan për gazetën se veprimet e avokatit Hadëraj janë vlerësuar nga Komisioni si “mosplotësim prej tij të detyrës së dhënë nga gjykata për paraqitjen në seancë dhe lënien pa mbrojtje të të pandehurit Dajti, duke u bërë shkak për dështimin e procesit”. Po sipas burimeve, mbrojtësi Hadëraj ka qenë i pranishëm në mbledhje ku ka kundërshtuar “etiketimin” e emrit të tij si shkaktar të shtyrjeve të procesit “Dajti”. “Nuk jam unë shkaku i zvarritjes së procesit”, mësohet të jetë shprehur avokati. U bë e ditur se vendimi i marrë dje nga Komisioni i Disiplinës mund të kundërshtohet nga ana e avokatit Hadëraj përmes një padie në gjykatën kompetente, që në këtë rast është Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Masa e marrë ndaj avokatit Hadëraj është e para masë e kësaj forme e marrë ndaj avokatëve të thirrur nga Gjykata për Krimet e Rënda për mbrojtjen e të pandehurit Dritan Dajti në seancë. Në mbledhjen e mëparshme të mbajtur më 22 prill, Komisioni i Disiplinës mori masën “vërejtje” për dhjetë avokatë të caktuar kryesisht nga Gjykata për mbrojtjen e Dajtit, por që nuk janë paraqitur në gjyq. Burime të rezervuara bënë me dije se një prej tyre kishte vetëm dy muaj që ishte pajisur me licencë avokatie dhe nuk kishte dijeni as për vendin ku ndodhej godina e Gjykatës për Krimet e Rënda. Procesi në ngarkim të Dritan Dajtit te Krimet e Rënda është në “ngërç” prej më shumë se një viti prej mbetjes pa avokat të të pandehurit. Në një reagim për TCH, avokati Hadëraj ka pretenduar dje se është kokë turku dhe se ndëshkimi i tij ka lidhje me faktin se ai më parë ka qenë avokat i Haklajve të Tropojës.                    ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura