Zjarret në Shqipëri, zjarre në mendjet shqiptare

Aug 31, 2011 | 10:49
SHPËRNDAJE

SAZAN GURI

Mbi 400-500 milionë m2 pyje, kullota apo tokë shkurrore u vunë nën flakët e zjarreve të zjarrvënësve, si për të thënë që ne, barbarët e maleve, nuk jemi thjesht barinj, por Zeusa që komandojmë frymëmarrjen tuaj aty parë dhe në qytet, si për të vërtetuar atë që thonë, se pasuritë shërbejnë kur janë në duart e dijetarëve dhe jo në duart e një teveqeli, që kësisoj duan veçse dhunë të ushtrojnë. Nuk ka më çfarë të shkatërrohet në Shqipëri. Mijëra dru frutorë, dhjetëra mijëra dru halorë, qindra mijëra dru shkurrorë e makje. Mijëra kafshë pa strehë e pa ushqim. Dikur ishim të varfër nën një ambient të pasur, ndërsa sot jemi më të varfër se kurrë, sepse ajo po na pllakos në mendje, në shpirt dhe në atë çka na rrethon. Mbasi u hoqëm skalpin me zhavorre shtretërve të lumenjve, mbasi lamë plehrat të shkapërdahen kuturu vendit, mbasi bëmë të ndotet çdo burim sipërfaqësor, mbasi lejuam të ndyhen ujërat nëntokësore, mbasi çuam erozionin të prekë 10 mm në vit, mbasi urbanizuam brezat bregdetare alla-golemçe, deri në 40 metra pranë detit, shpesh dhe brenda tij, mbasi derdhim ujërat e zeza në lumë, në liqen, në det, në tokë, mbasi fshimë ca miliona hektarë me bar apo shkretuam ca qindra mijë hektarë me kullota apo premë ca dhjetëra mijë hektarë me pyje, tanimë po prekim ekstazën e fundit, atë të zjarrvënies.
Nuk ishte rastësi që mbi tunelin në Vlorë, si kudo në këto vite tranzicioni, të ardhurit me bagëti e me preh, më parë prenë ca shkurre e ca pemë. Dhe për çfarë? Të bënin qymyr për kërnacka. Pastaj sharruan ca ullinj e ca portokaj. Dhe për çfarë? Për të zaptuar një copëz toke, së fundmi për të shfarosur ca pyje. Dhe për çfarë? Thjesht për t‘u ngrohur. Rezultati? Nuk kanë ujë të pinë, sepse thjesht një dru peme çfarëdo jep aq ujë sa konsumon një njeri në vit (më shumë se 300 litra). Ata, më shumë se kurrë, ndër gjithë shekujt e mbijetesës, po ndiejnë dhe do të pësojnë tekat e natyrës, si rrëshqitjet e tokës, llumrat e baltës (selet), përrenjtë gurorë, vapën, ortekët e dëborës, sepse nuk ka kush t‘i ndalë. Harrojmë se një pemë nën rrezet e diellit, një gur, një mal, një kafshë – të gjitha kanë jetë, kanë një histori, jetojnë, përballojnë rreziqet, gëzojnë, mërziten, qeshin, ulin kokën, sikur duan t‘i thonë barbarit njeri apo bari që ne (pema, guri, mali) bëjmë çdo veprim tuajin, me përjashtim të ecjes, apo ne (qeniet me ndërgjegje të ulët – kafshët) bëjmë çdo veprim tuajin, me përjashtim të të folurit dhe, si për ta kujtuar barbarin-njeri apo bari, se te çdo gjë e natyrës ka diçka të mrekullueshme që të shushat apo të shastis. Kjo mrekulli nuk i përqaset qenies me gjoja ndërgjegje të lartë, ndaj ky i fundit e përcëllon, e djeg derisa e shkrumbon fare atë.
Sipas një koncepti sa fshatarak dhe injorant, e aspak praktik e përfitues, mbizotëron në kret (kryet) e çdo bariu ideja se duke u vënë zjarrin kullotave, ato, me anë të një shiu të ditëve plaka të gushtit, mund të gjenerohen dhe të harbojnë në vegjetacion të mirë. Por, as shkenca e as praktika nuk e mbështet dhe kurrsesi nuk e pranon këtë fakt. E çuditshme! Inteligjenti pëlqen të mësohet, barbari pëlqen të të mësojë. Mundësia për ripërtëritje është shumë e vogël, sepse kërkon që flaka e vënë enkas duhet të jetë nën kontroll, pra të përcëllojë gjethet e thara dhe jo trungjet e bimëve, apo ca më keq akoma, rrënjët e saj, si dhe duhet të kemi një shi të butë e sistematik gjatë ditëve plaka të gushtit. Dhe në këtë rastisje fatlume mund të ndodhë që të kemi harlisje të bimëve e shkurretave, por vetëm për një cikël vjetor, jo më tej. Por, ajo që ndodh rëndom dhe praktikisht është se zjarri nuk përcëllon, por djeg, nuk djeg gjethet, por zhurit rrënjët, nuk zhurit rrënjët, por shkreton tokën dhe kur ndodh që vjen ai shiu i plakave të gushtit, ai i merr të gjitha këto si erozion dhe kur ndodh që nuk vjen, është më keq akoma. Pra, në çdo kuptim, bariu del i shushatur, përpos, kur digjen edhe kullotat e fqinjit, del një komunë e humbur, por kur shkrumbohet një pyll pranë, del një prefekturë e humbur, mandej kur zhuritet dhe një ullishte apo një vresht, del një krahinë e përvëluar dhe kur kemi disa pyje në hall zjarri, del një shtet, një komb deri një botë e përcëlluar.
Akshën syresh e lidhin zjarrin tonë si kudo në botë, si me ishujt Kanare, ku dikur u dogjën kaq mijë hektarë; si në Kroaci, ku dikur u shkretuan kaq dhjetëra pyje; si në Greqi, ku dikur kishte qindra vatra zjarri, por harrojnë se ata kanë shumë dhe u ngelen shumë. Harrojnë se ata, për një kullotë të djegur mbjellin një pyll, dhe për një pyll të djegur ngrenë lëmë me pyje, ndërsa ne kemi harruar të mbjellim qysh nga koha e Skënderbeut. Shpjegojmë se shumica e zjarreve andej është dhe ekologjike, ku natyra zëvendëson oksigjenin e tepërt dhe kërkon CO2 e saj. Po ne?! Pak gaze serë sosim nga djegia e plehrave nëpër dampa e nëpër rrugë?! Pak NOx shfryjmë nga makinat nëpër qytet?! Pak sasi pluhuri bredh në ajrin e përditshëm?! Kësisoj, ne zjarrit i shtojmë zjarr, sepse zjarr është jeta jonë, mendja jonë.
A nuk është zjarr jeta në Parlament, ku dackat, baruti kanë lëshuar xixa dhe fjalët shumë pak mend? A nuk është zjarr jeta në rrugë, ku ngarësit e makinave u bien burive pa kuptim e me kompresor dhe kalimtarët djegin dhe mbajnë veshët me dorë? A nuk është zjarr jeta në plazhet tona (Durrës, Vlorë etj.), ku një individ kërcen e këndon, e, njëherësh, një komunitet i tërë lëngon? A nuk është zjarr jeta në qytet, ku pa dashje makinën i prek, ai jetën sakaq ta hek? A nuk janë zjarr ekranet tona, që fillojnë me lajme si piper, vazhdojnë me masakra me zjarr ngaherë dhe mbyllen me dëgjues të shtangur gjithë tmerr? Zjarr sherri për një gardh midis fqinjëve apo vëllezërve, zjarr plehrat nëpër rrugë, zjarr një shtëpi nga tensioni i KESH-it, zjarr për xhelozi në familje, zjarr me dinamit për të vrarë një tufë peshq, zjarr këtu e zjarr aty, zjarr në mendjen e çdo shqiptari, madje dhe shkrimi doli gjithë vrer e zjarr. Ndaj nuk është rastësi që tek ne, më dendur ndodh që t‘u vëmë zjarr pyjeve tona, sesa të vetëmarrin zjarr. Më shpesh ndodh që ta shohim zjarrin, sesa të marrim pjesë për ta shuar atë. Kujtoni se asnjë vullnetar qytetar, ambientalist, apo aq më keq, fshatar, nuk denjon të marrë pjesë në shuarjen e zjarreve, sikundër ndodh në vendet e tjera, por mjaftohet të kuvendojë rreth tij ose të bëjë sehir përkundruall. Sepse ai nuk na tremb, nuk ka çfarë na bën më. Baroti dhe zjarri kanë qenë bashkudhëtarët tanë qyshkur tradhtuam pendën në arrë, librat në shkolla, sportin me ndenjjen, dashurinë me urrejtjen. Ndaj, zjarri në pyje më parë është në mendje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura