Zgjedhjet, Topi: Të parat, interesat e qytetarëve

Mar 31, 2011 | 12:59
SHPËRNDAJE

TIRANË- Presidenti i vendit, Bamir Topi ka apeluar sot për zgjedhje vendore sa me pak te politizuara, duke theksuar se “sa më pak të politizuara të jenë ato, aq më shumë do t’u kushtohet vëmendje shërbimeve dhe interesave të qytetarëve”. Deklarata është bërë gjatë takimit të zhvilluar mes tij dhe Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Lazlo Këver.

Në takim, Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Hungarisë, e cila mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, si dhe theksoi rëndësinë e konsolidimit dhe thellimit të mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë ekonomike.

Kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë e madhe që paraqitet edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, duke qenë se: “Parlamenti është tempulli institucional i demokracisë” dhe ky bashkëpunim e shkëmbim përvoje do të kontribuonte në realizimin me sukses të proceseve të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, kryeparlamentari hungarez, Lazlo Këver, shprehu bindjen në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë dhe Hungarisë në mjaft fusha, sidomos në drejtim të bashkëpunimit të frytshëm parlamentar në kuadër të përafrimit të legjislaturës shqiptare me atë të BE-së. “Ai vlerësoi gjithashtu arritjet e shënuara dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë, si dhe e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për vazhdimësinë e mbështetjes së Hungarisë në drejtim të rrugëtimit integrues evropian të vendit tonë dhe në përmbushje të aspiratës për t’u integruar në gjirin e familjes së madhe evropiane”- bën me dije zyra për shtyp e presidentit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura