Zgjedhjet, sekretari i OSBE: Prezencë të gjerë monitorimi

Feb 28, 2011 | 10:36
SHPËRNDAJE

TIRANË- Afrimi i zgjedhjeve lokale ka sjellë sot në Tiranë sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Marc Perrin de Brichambaut.

“Jemi në favor të përmirësimit të kushteve të zgjedhjeve, kemi prezencë të gjerë të monitoruesve, që do të jenë bashkë me vëzhguesit lokalë”. Kështu është shprehur sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, gatë konferencës për shtyp së bashku me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Pa u ndalur në asnjë parti të vecantë, ai ka bërë apel nga politika dhe partitë politike të respektojnë institucionet, Kushtetutën dhe ligjet për zgjedhjet. “Unë nuk kam parasysh një parti të caktuar, i kujtojmë kujtdo rregullat dhe praktikat e mira që ekzistojnë për institucionet, ndaj OSBE ka qenë e qartë në këtë drejtim”- tha ai.

I pyetur për hetimet e 21 janarit, ai është shprehur në mbështetje të plotë të prokurorisë për një hetim gjithpërfshirës dhe të paanshëm.

Në axhendën e tij, ai ka planifikuar takim me kryeministrin, Sali Berisha dhe me kreun e shtetit, presidentin Bamir Topi. Në qendër të takimit mendohet të jenë rekomandimet e OSBE-së dhe angazhimi i palës shqiptare në lidhje me plotësimin e tyre.

OSBE, përmes ambasadorit të saj në Tiranë ka bërë shumë herë apel për plotësimin e rekomandimeve lidhur me zgjedhjet, për përgatitjen e punës nga ana e KQZ dhe thirrje drejtuar partive të respektojnë afatet e përcaktuara në kodin zgjedhor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura