“Zgjedhjet nuk duhet të përsëriten”

May 31, 2011 | 11:17
SHPËRNDAJE

Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Karola Muller-Holtkemper, deklaroi dje nga qyteti i Kukësit se palët duhet të presin vendimin e Drejtësisë.Duke vlerësuar procesin zgjedhor si më të mirin në 20 vitet e fundit, ambasadorja gjermane tha se gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të vendosin me drejtësi për rezultatin në Bashkinë e Tiranës. “Sa na përket neve, ngelet ende i hapur procesi për shkak se kryetari i Bashkisë ngelet ende i lirë, pa përcaktuar fituesin. Përsa i përket pjesës tjetër të vendit, pra të zgjedhjeve në pjesën tjetër të Shqipërisë, nga sa kam dëgjuar nga vëzhguesit gjermanë afatgjatë dhe afatshkurtër, këto kanë qenë zgjedhjet më të mira ndër 20 vitet e fundit”, ka deklaruar ambasadorja gjermane. Përsa i përket rezultatit për Bashkinë e Tiranës, sipas ambasadores, i përket Kolegjit Zgjedhor të vendosë. Ajo shtoi se vendimi duhet të jetë në bazë ligjore. “Përsa i përket çështjes së Tiranës, i takon Kolegjit Zgjedhor të vendosë. Kam dëgjuar se do të mblidhet të premten dhe ata do të vendosin në mënyrë ligjore për këtë çështje. Ne kemi një shqetësim sa i përket vendimmarrjes, megjithatë procesi është i parë, pra që vjen në radhë të parë. Unë mendoj se nuk do të ishte e arsyeshme që të përsëriteshin zgjedhjet, sepse kjo nuk mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike. Sa na përket neve, komunitetit europian dhe partnerëve ndërkombëtarë, jemi të gatshëm ta ndihmojmë Shqipërinë atëherë kur na kërkohet”, tha ambasadorja gjermane. E pyetur nga gazeta “Panorama” nëse përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë shihet nga ndërkombëtarët si mundësi për të shpëtuar nga ky ngërç, ambasadorja tha se situata duhet të zgjidhjet nga institucionet. “Gjithçka duhet të zgjidhet nga organet ligjore të caktuara”, tha Holtkemper.
Në lidhje me vendimet e mara nga KQZ, ambasadorja Karola Muller-Holtkemper theksoi se “duke qenë se është një proces i hapur, proces i papërfunduar, nuk mund të jap ende një mendim në lidhje me vendimet e marra, por theksoj edhe një herë se ky është një proces shqiptar”. Ndërsa në lidhje me pyetjen nëse në shtetin gjerman ka pasur ndonjë problematikë të ngjashme, ajo tha: “Jo, sepse, me sa di unë, kemi një sistem ndryshe. Nuk është se kam një ide të përgjithshme, por në 200 vendet e botës, me sa di unë, nuk është se ka ndodhur një gjë e tillë”.
Edhe më herët, gjatë procesit zgjedhor, ambasadorja gjermane ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi. “Është e rëndësishme që në fund të gjitha palët të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Që kjo të ndodhë, është e nevojshme të ndiqen në mënyrë transparente dhe të ndershme procedurat që përcakton Kodi Elektoral. Çështjet që nuk mbulohen në mënyrë të qartë nga Kodi Elektoral, duhet të zgjidhen në frymën e dialogut dhe të konsensusit. Gjatë gjithë procesit duhet të mbizotërojë qetësia, pasi dhuna është krejtësisht e papranueshme”, – ka Holtkemper, në një nga intervistat e saj.

Ristani: Pse e votuam aktin për votat gabim

Kryetari i KQZ, Arben Ristani, shprehet se institucioni që ai drejton mori vendimin më të mirë në bazë të praktikave zgjedhore për të numëruar votat në kutitë e gabuara. Duke e cilësuar tentativën e anëtarëve të opozitës në KQZ si “antiakt”, me “synime staliniste”, Ristani thotë se parimi për të lexuar votën e qytetarëve është më i larti. Sipas tij, kundërshtuesit e tij kërkojnë të veprohet sipas thënies së Stalinit, që “s’ka rëndësi se kush voton, por kush numëron”. “Antiakti nuk e di se neni 7 i Kodit të Procedurave Administrative e përcakton diskrecionin si ushtrim të autoritetit publik për të realizuar qëllimin e ligjshëm, pa pasur paraprakisht autorizimin e ligjit. Çuditet antiakti se, në fakt, antiakti synon pikërisht të realizojë synimin stalinist: ‘S’ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron’. Për ne është e kundërta. Për ne rëndësi ka kush voton. Pikërisht për këtë m’u desh të theksoja se sa i ngjashëm është antiakti, nëpërmjet termave që përdor, me parimin që ndjek. Është i njëjti parim i shprehur pikërisht me këta terma. Tani, përderisa ne jemi pro aktit, mua do të më duhet ta lexoj, sepse është për t’u lexuar. Është puna jonë, e gjithë këtyre ditëve të lodhshme dhe më duhet ta bëj prezent për mbarë opinion publik, megjithëse u është shpërndarë të gjitha palëve pjesëmarrëse në seancë”, shprehet Ristani. Sipas kreut të KQZ-së, kundërshtuesit e aktit, ose “antiakti”, siç preferon t’i cilësoi ai, kanë përmendur në mbledhjet e KQZ-së edhe të vdekur, varre apo kriminelë për të kundërshtuar vendimmarrjen e KQZ-së.

 

Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura