Zgjedhjet lokale në Turqi, 8 të vdekur, 18 të plagosur

Mar 31, 2014 | 12:05
SHPËRNDAJE

Tetë njerëz kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur të dielën në përleshjet mes dy grupeve që mbështesnin kandidatë rivalë më zgjedhjet lokale në Turqi.
 Votimi i rreth 53 milionë njerëzve në 198 mijë qendra votimi në të gjithë Turqinë konsiderohet një “referendum” për qeverinë e Kryeministrit Rexhep Tayip Erdogan. Kryeministri turk është shprehur se sukses do të jetë kalimi i 38 për qind të votës që ai ka siguruar në zgjedhjet e kaluara lokale. Raportohet se ka pasur konflikte në disa zona jugore të vendit, ku janë vrarë të paktën tetë njerëz. Konfliktet janë ndezur në fshatrat kufitare me Sirinë. Dy veta raportohet të jenë vranë dhe nëntë të tjerë janë plagosur pas një sherri në një njësi votimit të fshatit Golbasi në Kirikhan, provinca jugore Hatay. Ndërsa gjashtë turq janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur kur nisi një shkëmbim zjarri mes kandidatëve për njësinë vendore dhe të afërmve të tyre në fshatin Hilvan në jug të provincës Sanliurfa, thuhet në raportimin e mediave lokale. Një tjetër sherr pati në fshatin Hamamoren mes anëtarëve të partisë në pushtet Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe atyre të Partisë Demokratike pro-paqes Kurde (BDP) gjatë hedhjes së votave, duke lënë katër njerëz të plagosur. Në raport thuhet se forcat e armatosura turke kanë shtuar masat e sigurisë në fshat. Votimet janë hapur të dielën në Turqi për zgjedhjet lokale, të cilat shihen si referendum mbi ligjvënien e Kryeministrit Erdogan, i cili përballet me protesta antiqeveritare dhe një skandal të madh korrupsioni në strukturat e qeverisë dhe njerëzit e tij të afërt. Mediat po flasin për një kthim të votës lokale në një referendum mbi drejtimin e vendit prej tij, për 11 vjet. Rezultati i votimit, veçanërisht në Stamboll dhe Ankara, do të ndikojë në të ardhmen e Erdogan, pasi sipas analistëve, ka gjasa që ai të kandidojë për postin e Presidentit në gusht, ose do të ndryshojë rregullat e partisë duke kërkuar një mandat të katërt si Kryeministër vitin e ardhshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura