Zgjedhjet, Berluskoni humbet Milanon, të majtët marrin edhe qytetin e Napolit

May 31, 2011 | 10:48
SHPËRNDAJE

Pas 20 vitesh, kryeqyteti ekonomik i Italisë, Milano, do të administrohet nga e majta. Zgjedhjet, pas balotazhit duket se po u japin një fitore të sigurt të majtëve edhe në Napoli. Dy bastionet e qendrës së djathtë i vunë vulën e humbjes qeverisë së Berluskonit në zgjedhjet lokale. Duket se italianët janë lodhur tashmë me skandalet pa fund si në tematikë, ashtu edhe në intensitet të kreut të qeverisë. Zgjedhjet janë testi i parë i madh për zotin Berluskoni, që kur nisi procesi ndaj tij për abuzim me detyrën dhe për marrëdhënie seksuale me një prostitutë nën moshën e lejuar. Pas numërimit të pothuaj 90% të qendrave të votimit, kandidatja e Berluskonit, kryetarja aktuale e Milanos, Leticia Morati, thuhet se ka fituar 45 për qind të votave gjatë balotazhit kundër Xhuliano Pisapia të qendrës së majtë. Në balotazhin për Napolin, kandidati i majtistëve, Luigji de Magistris, sipas shifrave të para, po udhëheq me 65 për qind ndaj kandidatit të Berluskonit, Xhani Leterieri, i cili thuhet se ka fituar 35 për qind të votave. Nuk janë vetëm këto dy qytete që shënojnë suksesin e qendrës së majtë në këto zgjedhje lokale. Kaljari dhe Trieste janë fituar gjithashtu nga kandidatet e të majtëve. Këtë të diel italianët votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 90 qytete dhe gjashtë qarqe. Në raundin e parë të zhvilluar me 15 dhe 16 maj, Berluskoni pësoi një disfatë, ku e majta e qendrës ruajti kontrollin në qytete të tilla si Torino dhe Bolonja. Humbja e Milanos është shenja e parë që pushteti i Berluskonit po shkon në nivelet më të ulëta.

Berluskoni: Qeveria vazhdon

Edhe pse kishte thënë që rezultati i Milanos, do të ishte një test për qeverinë, në fund kryeministri italian nuk ka dhënë shenja se do të rishikojë pozicionin e tij. “Humbëm, është evidente. Por duhet t’i mbajmë nervat e qeta, qeveria do të vazhdojë punën. Për këtë kam edhe mbështetjen e Bossit.”, kështu deklaroi dje Berluskoni, pas rezultateve negative në Milano e Napoli. Por nuk janë të të njëjtit mendim përfaqësuesit e Legës. Aleatët e Berluskonit akuzojnë për humbjen partinë e tij. “Ne e bëmë detyrën tonë, dikush tjetër (për Berluskonin) humbi 75 mijë vota në Milano”. Sidoqoftë, edhe ministri i Jashtëm italian ka pranuar se humbja nuk do të çojë në zgjedhje të parakohshme, por në riformatim të punës së qeverisë. “Qeveria do të vazhdojë, por duhet një rizgjim.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura