Zgjedhja e Xhunker, Britania drejt referendumit për daljen nga BE

Jun 30, 2014 | 13:09
SHPËRNDAJE

Angela Merkel dhe Zhan Klod Xhunker
Pas luftës së dështuar të Kryeministrit britanik, David Kameron, për të evituar që postin më të lartë në strukturat europiane ta merrte federalisti i vjetër Zhan Klod Xhunker, Mbretëria e Bashkuar po përgatitet të shkojë drejt një referendumi mbi daljen e vendit nga Bashkimi Europian. Më shumë se 150 deputetë të Parlamentit britanik kanë nisur një fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve mbi mbajtjen e referendumit anti-BE. Kryeministri Kameron ka tentuar të ndikojë për ndryshimin e politikave europiane, pasi ekonomia në zonën euro nuk po sheh zhvillimin që pritej dhe, mbi të gjitha, zgjedhjet e majit të këtij viti për Parlamentin Europian treguan se pjesa më e madhe e popujve të unionit po i drejtohet mbështetjes së radikalëve, pasi janë kundër politikave të deritanishme europiane. Kameron ka kërkuar ndryshim të strukturave në tërësi, por sipas tij, zgjedhja e Xhunkerit, ish-kreu i Eurogrupit, tregon se asgjë nuk do të ndryshojë. Edhe pse sondazhet tregojnë se 47 për qind e britanikëve mbështesin largimin nga BE, ka grupe politike e sociale në Britani që këmbëngulin për qëndrimin në strukturat europiane, për të evituar izolimin ekonomik të Mbretërisë së Bashkuar. Lideri i grupit më të madh të biznesit të Britanisë ka thënë se suksesi ekonomik i vendit varet vetëm nëse ai do të jetë anëtar i BE-së. Sipas sipërmarrësve, “BE është tregu më i madh i eksportit dhe është çështje themelore për të ardhmen e tyre ekonomike. Anëtarësimi mbështet vendet e punës dhe rrit konkurrencën ndërkombëtare”. Edhe partia liberale në Britani kërkon qëndrimin në strukturat e Bashkimit Europian, duke këmbëngulur se në të kundërtën vendin e pret izolimi. Xhunker u emërua të premten e kaluar si kandidati i grupit më të madh në Parlamentin Europian të udhëhequr nga Angela Merkel, për President i Komisionit Europian. Votimi për të, që pritet të miratohet, mbahet më 16 korrik.     

Sondazhi
A duhet të largohet Mbretëria e Bashkuar nga BE?
Po        47 për qind  
Jo         39 për qind
Nuk e di         14 për qind
A e mbështesni Xhunker si lider të KE-së?
Po         13 për qind   
Jo         35 për qind  
Nuk e di         52 për qind
A kishte të drejtë Kameron për bllokimin e Xhunker?
Po         43 për qind
Jo         15 për qind
Nuk e di         42 për qind
A shqetësoheni nga raportet se Xhunker pi konjak në mëngjes?
Po         55 për qind
Jo         30 për qind
Nuk e di         15 për qind
A ju nxit fitorja e Xhunker për të votuar largimin nga BE?
Po         30 për qind
Jo         10 për qind
Nuk e di         60 për qind

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura